Afganet shndërrohen në tregtare për të mbajtur familjen
Kriza ekonomike, varfëria dhe uria, ka detyruar shumë gra afgane që të dalin të shesin gjësendet e tyre nëpër pazare me qëllim që të ushqejnë familjet e veta. Në mesin e qindra grave tregtare është edhe Amina Saifi. Ajo rrëfen se pas kthimit të talebanëve në pushtet, e ka pasur të pamundur të kthehet në vendin e saj të punës në një shkollë të mesme.
Burri i është vrarë në një sulm vetëvrasës para tre vjetësh dhe tani është përgjegjëse për të ushqyer tetë fëmijët e saj. Punën në Pazar e ka filluar së fundmi kur ka nisur të shesë gjësendet e shtëpisë. Dikur udhëheqëse e qindra nxënësve, tani thotë se mezi siguron para të mjaftueshme për të ushqyer fëmijët.
Talebanët kanë premtuar një qeverisje më moderne, ndryshe prej asaj të viteve 1996 dhe 2001. Mirëpo shumë afganë, sidomos gratë, frikësohen se të drejtat që kishin në dy dekadat e fundit kanë nisur të zhduken. Grave nuk është lejuar kthimi në vendet e tyre të punës nëpër ministri, ndërkaq adoleshenteve u është mohuar e drejta për të shkuar në shkollë.
Sipas organizatave për të drejtat e njeriut në Afganistan, gratë janë në gjendje të mjerueshme. Për shkak të kushteve të rënda, gratë në muajt e fundit kanë protestuar nëpër rrugët e Afganistanit, duke kërkuar të drejtat e tyre për punë dhe barazi.