Botë

Kroacia e shokuar, për 10 vjet humbi 10 për qind të banorëve

 

Enti statistikor i Kroacisë ka bërë sot paraqitjen e rezultateve të regjistrimit të popullsisë që është zhvilluar në vitin 2021 dhe ato kanë shokuar opinionin dhe skenën politike. Pikërisht në 30-vjetorin e njohjes ndërkombëtare të Kroacisë si shtet të pavarur, të dhënat kanë treguar se Kroacia ka humbur në ato 30 vite 1 milion banorë. Në regjistrimin e popullsisë në vitin 1991, Kroacia kishte 4.8 milionë banorë ndërsa tash ka pak më shumë se 3.8 milionë. Kroacia sot ka aq banorë sa kishte në vitin 1948.

Në 10 vjetët e fundit numri i banorëve të Kroacisë është zvogëluar për 10 për qind, apo për 400 mijë banorë. Pra për 10 vjet ky shtet ka humbur popullsinë sa së bashku kanë Spliti, Rijeka dhe Osijeku, tri qytetet më të mëdha pas Zagrebit. Edhe në katër qytetet e mëdha është zvogëluar numri i banorëve. Zagrebi ka më pak se 800 mijë banorë, Spliti ka 180 mijë banorë, Rijeka 160 mijë banorë ndërsa Osijeku ka rënë nën 100 mijë banorë.