Po mbushet një vit prejse Joe Bideni në kulmin e krizës politike në vend mori timonin e presidencës me mesazhin për unitet dhe shpresë në Shtetet e Bashkuara.
Bideni u zgjodh me premtimet se do të davariste ndasitë e thella të vendit dhe se do t’i jepte fund luftës kundër pandemisë së koronavirusit. Lideri që fitoi me sloganin e “Kthimit të Amerikës”, u zotua gjithashtu se do ta kthente ekonominë në binarët e duhur.
Dhe tani që po përmbush një vit në Shtëpinë e Bardhë, shpreson se disa prej zotimeve të tij të nisin të marrin të mbarën.
Bideni e nis vitin e dytë në presidencë me inflacion të lartë rekord në dyzet vjetë e fundit, me rekorde rastesh të variantit Omicron dhe me planin ambicioz për shpenzime të larta të agjendës së tij të brendshme, por që kjo politikë po i has në pengesa në Kongres.
Shtytja e tij për reformë në të drejtat e votimit gjithashtu ka pësuar goditje; madje goditja e dytë i erdhi nga kundërshtimi i kongresistëve bashkëpartiakë.
David Barker, drejtor i Qendrës për Studime Presidenciale dhe Kongres, ka thënë se Bideni nënvlerësoi faktin se sa e vështirë është të arrihet bashkimi i të gjitha fraksioneve brenda demokratëve.
Por ai ka thënë se Bidnei u përball me të njëjtat vështirësi edhe në përpjekjet për unifikimin e kombit amerikan.
Megjithatë, krahu perëndimor i Shtëpisë së Bardhë shënoi edhe një seri suksesesh në vitin e parë, përfshirë aprovimin e pakos së madhe prej 1.9 trilionë dollarësh për rimëkëmbje dhe pakon e infrastrukturës me mbështetje bipartizane.
Ai ia doli të bindte amerikanët që të merrnin rreth 500 milionë doza vaksinash, emëroi më shumë gjykatës federalë se çdo president tjetër që nga Ronald Reagani dhe rishikoi marrëdhëniet me aleatët e Shteteve të Bashkuara.
Por kishte edhe një seri krizash.
Prej tërheqjes kaotike dhe vdekjeprurëse nga Afganistani, deri te fluksi i emigrantëve të ngujuar në kufirin jugor apo rikthimin e valëve të pandemisë.
Në fund të verës, mbështetja popullore për Bidenin nisi teposhtën. Kjo ndodhi edhe për shkak se pandemia e bëri të veten.
Bideni po shpreson të spikatë përsëri narracionin e administratës së tij dhe të shpallë më shumë fitore para zgjedhjeve të mesmandatit që mbahen pas nëntë muajsh.
Por ai përballet me sfida që shkojnë përtej pandemisë; prej shqetësimeve në ngritje me Rusinë dhe Kinën, deri te përplasjet historike politike në vend.
Partia e presidentit pothuajse gjithnjë humb shumicën në zgjedhje mesmandatit. Dhe me epërsinë tashmë të lehtë, viti i dytë mund të jetë fillimi i një përpjete edhe më të rrëpirët.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.