Përgjigjet me shkrim të paraqitura nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja ndaj kërkesave të sigurisë së Rusisë nuk arrijnë të adresojnë shqetësimet e Moskës për zgjerimin e aleancës ushtarake drejt lindjes, ka thënë të enjten ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, në kohën kur frika për një pushtim të mundshëm të Ukrainës mbetet e lartë.
"Nuk ka asnjë reagim pozitiv për çështjen kryesore në këtë dokument”, u ka thënë Lavrov gazetarëve në Moskë.
“Çështja kryesore është qëndrimi ynë i qartë për papranueshmërinë e zgjerimit të mëtejshëm të NATO-s në Lindje dhe vendosjen e armëve goditëse që mund të kërcënojnë territorin e Federatës Ruse”, ka shtuar ai.
Tensionet midis Moskës dhe Kievit janë në nivelin më të lartë ndër vite, me një grumbullim të madh të trupave ruse pranë kufijve të përbashkët të dy ish-republikave sovjetike.
Rusia ka mohuar në mënyrë të përsëritur se po planifikon një pushtim, por ka argumentuar se mbështetja e NATO-s për Ukrainën, duke përfshirë rritjen e furnizimeve me armë dhe trajnimin ushtarak, përbën një kërcënim në rritje në krahun e saj perëndimor.
Lavrov shpjegoi se SHBA-ja dhe NATO-ja kishin rënë dakord më parë në kontekstin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) që të mos zgjeroheshin në kurriz të sigurisë së Rusisë.
“Ne paraqesim premtime joverbale, dokumente të shkruara, të nënshkruara nga liderët e të gjitha vendeve të OSBE-së, përfshirë Presidentin e Shteteve të Bashkuara (Deklarata e Stambollit e 1999, Deklarata e Astanës e 2010), partnerët tanë perëndimorë duhet të dalin nga një situatë më serioze”, shpjegoi Lavrov.
“Ky parim shprehet qartë, ka dy qasje kryesore të ndërlidhura. Së pari, i njihet e drejta çdo shteti për të zgjedhur lirisht aleancat ushtarake. Së dyti: detyrimi i çdo shteti që të mos forcojë sigurinë e tij në kurriz të sigurisë së të tjerëve”, ka përfunduar ai.
Ndërkohë, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka paralajmëruar homologun e tij rus se do të përballet me sanksione të ashpra nëse e pushton Ukrainën.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.