Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, ka deklaruar se trupat ruse janë duke shkatërruar “infrastrukturën kritike” në Ukrainë.
“Këto nuk janë targete ushtarake”, ka thënë Blinkeni gjatë një adresimi televiziv, pas bisedës telefonike që ka zhvilluar me ministrin e Jashtëm ukrainas.
Blinken ka thënë se qindra ose mijëra civilë ukrainas janë vrarë dhe plagosur, dhe se shifra e qytetarëve që e kanë lëshuar vendin për të ikur në shtetet fqinje ke arritur në më shumë se 174,000.
“Miliona ukrainas po strehohen kudo që munden. Kjo është e turpshme. Numri i civilëve të vrarë dhe të plagosur, pasojat humanitare, do të rriten ende”, ka thënë Blinken.
Ai ka shtuar se 13 nga ndërmarrjet kritike shtetërore ruse tani janë jashtëzakonisht të kufizuara në mbledhjen e parave në SHBA dhe janë vendosur sanksione ndaj individëve, përfshirë Putinin.
Ai vazhdoi të njoftojë se SHBA-ja dhe aleatët e saj po krijojnë një grup pune për të identifikuar, "gjurmuar dhe ngrirë asetet e kompanive dhe oligarkëve rusë të sanksionuar".
"Ne do të ngrijmë dhe sekuestrojmë jahtet e tyre, avionët e tyre privatë, pronat e tyre të pasura në kryeqytetet botërore”, ka shtuar Blinken.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.