1 perditesime
18:52

Blinken: Dërgimi i avionëve në Ukrainë ngre shqetësime serioze për NATO-n

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, është deklaruar rreth propozimit të Polonisë për dorëzimin e avionëve polakë MiG-29 në Ukrainë.

Blinken ka thënë se ky propozim paraqet disa kompeksitete kur bëhet fjalë për ofrimin e ndihmës për sigurinë.

“Unë mendoj se ajo që po shohim është se propozimi i Polonisë tregon se ka disa kompleksitete që paraqet çështja kur bëhet fjalë për ofrimin e ndihmës për sigurinë. Ne duhet të sigurohemi që po e bëjmë atë në mënyrën e duhur”, ka thënë Blinken në një konferencë të përbashkët shtypi me sekretaren e jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss.

Blinken ka shtuar se nëse veprohet sipas propozimit të Polonisë, mund të ngritën disa shqetësime serioze për të gjithë aleancën e NATO-s.

“Largimi nga një bazë amerikane e NATO-s në Gjermani për të fluturuar në hapësirën ajrore të kontestuar me Rusinë mbi Ukrainën ngre disa shqetësime serioze për të gjithë aleancën e NATO-s. Pra, ne duhet të punojmë me specifikat e këtyre gjërave në vijim. Thjesht nuk është e qartë për ne se ka një arsye thelbësore për ta bërë atë në mënyrën që u parashtrua dje”, ka thënë Blinken.

Qeveria e Polonisë të martën ka njoftuar se është e gatshme që menjëherë t’i transferojë aeroplanët e saj MIG-29 te SHBA-ja për përdorim të Ukrainës.

18:31

Blinken: Jam absolutisht i bindur se Putini do të dështojë

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka thënë se nëse Vladimir Putin përpiqet të vendosë një regjim kukull në Ukrainë, do të ketë një "rrëmujë të gjatë, të përgjakshme, e të tërhequr në të cilën Ukraina do të vazhdojë të vuajë".

Pavarësisht kësaj, Blinken ka thënë se SHBA-ja vazhdon të punojë për të siguruar që Ukraina të ketë mjetet për të mbrojtur veten.

Blinken po ashtu ka thënë se është i sigurt se presidenti rus, Putin do të dështojë.

“Jam absolutisht i bindur se Putini do të dështojë”, ka thënë Blinken të mërkurën, gjatë një konference për media bashkë me sekretaren e Jashtme britanike, Liz Truss, në Washington.

Ai ka kërkuar nga Rusia që të respektojë armëpushimin dhe t’i lejojë civilët ukrainas të evakuohen, sipas marrëveshjes.