Botë

“Serbia me qejf do të bashkohej me nënën Rusi sikur të mos ishte Rumania në mes – e tash po pengon edhe kjo Ukraina”

Bora Qosiq
 

Shkrimtari serb Bora Qosiq mbi dashurinë irracionale të serbëve për rusët: mendësinë serbe, sipas Qosiqit, e komplikon frustrimi i shkaktuar nga pushtimi shumëshekullor, dhe ndërsa të tjerët bënë hapa drejt europianizimit, serbët nga pushtuesit turq mësuan vetëm përdorimin e hamamit

Bora Qosiq është shkrimtar serb. Por kjo nuk e përshkruan mjaftueshëm Qosiqin. Me një Qosiq tjetër ai e ndan mbiemrin, por jo edhe qëndrimet. Bora Qosiq është kundërshtar i madh i nacionalizimit serb qe së paku 30 vjet, në mos më gjatë. Ai u lind më 1932 në Zagreb, kreu shërbimin ushtarak jugosllav në Prizren, jetoi në Beograd, iku në Rovinj të Kroacisë, sepse nuk e duronte mykun e diktaturës së Sllobodan Millosheviqit, pastaj, pas Rovinjit Bora Qosiq u vendos në Berlin. Atje jeton ende, në moshë të shtyrë, më 5 prill i mbush 90-vjet. Si përherë Bora Qosiq është i kthjellët me mendime dhe vlerësime, por edhe sarkastik e ironik. Këtë e dëshmon në një shkrim në gazetën zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” mbi marrëdhëniet mes Rusisë dhe Serbisë. Të dy vendet, sipas Qosiqit, vuajnë nga kompleksi imperial, të cilit realiteti qëmoti i ka dalë nga dora.

Bora Qosiq thekson se në çastet vendimtare historike rusët nuk u kanë ndihmuar serbëve. Në shekullin e 19-të, kur populli serb u ngrit kundër pushtuesve turq, në Moskë u deponua një kërkesë për ndihmë me armë, por serbët nuk morën asgjë, ndonëse ambasadori i tyre i parë në Moskë ishte një pop, Mateja Nenadoviqi. As në Luftën e Dytë Botërore avionët sovjetikë nuk u erdhën në ndihmë partizanëve të Josip Broz Titos.