1 perditesime
13:48

Navalny dënohet me 9 vjet burgim

Një gjykatë ruse e ka dënuar të martën kritikun e Kremlinit, Alexei Navalny, me nëntë vjet burgim, me akuzën "për mashtrim dhe mospërfillje të gjykatës".

Ky vendim do ta mbajë kundërshtarin më të madh të Putinit jashtë jetës politike për vite me radhë, raporton Sky News. 

Navalny ka më shumë se dy vjet që po qëndron në një burg në lindje të Moskës, për siç thuhet, shkeljet e lirimit me kusht në lidhje me një dënim, që ai thotë se ishin marrë në bazë të provave sajuara për të penguar ambiciet e tij politike.

Politikani 45-vjeçar, të cilin gjykata e ka gjobitur po ashtu me mbi 9.000 euro, është deklaruar i pafajshëm gjatë gjykimit, duke thënë se ky proces është i motivuar politikisht.

Navalny është arrestuar me t’u kthyer në Rusi në janar të vitit 2021, pas disa muajsh trajtimi në Gjermani, si pasojë e një sulmi gati fatal, me agjent nervor Novichok në Siberi.

Muajin pasues ai u burgos për tri vjet e gjysmë për shkelje të kushteve të një dënimi me kusht për një rast përvetësimi të fondeve.

Navalny ka këmbëngulur vazhdimisht se akuzat ndaj tij ishin të motivuara politikisht.

Navalny drejton një fondacion kundër korrupsionit të quajtur FBK dhe ka nxjerrë në pah korrupsionin në partinë “Rusia e Bashkuar”, që drejtohet nga Putini.

08:58

Kritikut të Putinit i shtohen edhe disa vjet burgim

Një gjykatë ruse e ka shpallur fajtor opozitarin rus, Alexei Navalny, për mashtrim në disa raste, raporton Reuters të martën (22 mars).

Prokurorët rusë kanë kërkuar që kritiku i Kremlinit të dënohet me 13 vjet burgim, në një burg të sigurisë së lartë, nën akuzat për mashtrim dhe përbuzje të gjykatës.

Navalny tash e sa kohë po mbahet në burg, i dënuar me dy vjet e gjysmë. Ai po e vuan dënimin në një burg në lindje të Moskës për shkelje të lirisë me kusht.

Si dënimi i parë ashtu edhe ky i fundit, sipas Navalnyt dhe shteteve perëndimore janë vendime të marra mbi "fakte të sajuara ruse".

Navalny më herët edhe ishte helmuar, gjë që sipas tij, u bë nga agjencitë shtetërore ruse. Ai vlerësohet si kundërshtari më i madh i presidentit rus, Vladimir Putin.