Publikohet videoja kur sekretari britanik mashtrohet nga dikush që paraqitet si kryeministri ukrainas
Një video e sekretarit të mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, Ben Wallace, duke folur në telefon me një mashtrues që paraqitej si kryeministri ukrainas u publikua të hënën – disa orë pasi kryeministria britanike tha se besonte se aktorët shtetërorë rusë ishin përgjegjës për mashtrimin, raporton The Guardian të martën.
Në video, Wallace duket se pyetet nëse do të mbështesë synimet bërthamore të Ukrainës - Rusia ka pretenduar në mënyrë të rreme se Kievi ka ambicie bërthamore.
“Është një klip i përpunuar. Ajo që nuk dëgjoni është se sekretari i mbrojtjes thotë gjithashtu se Britania nuk mund të ketë asnjë lidhje me ambiciet e supozuara bërthamore të Ukrainës, sepse Britania është e përkushtuar ndaj traktatit të mospërhapjes bërthamore”, ka thënë një burim i mbrojtjes.
Personat e njohur për humor, Vovan dhe Lexus, të dyshuar për lidhje me shërbimin e sigurisë ruse, morën përgjegjësinë për videon.