Në Bucha në periferi të Kievit, ku ka dëshmi se trupat ruse kanë ekzekutuar civilët e pafajshëm, po zbulohen mizoritë e reja.
Iryna Abramov i ka treguar BBC-së se trupat ruse janë futur në shtëpinë e saj, ia vunë zjarrin shtëpisë, dhe nxore jashtë bashkëshortin e saj Oleg.
Babai i Irynyas, Volodymyr, që jeton në afërsi, nxitoi për ta fikur zjarrin dhe po thërriste Olegun për ndihmë, por përgjigja erdhi nga ushtarët rusë.
“Oleg nuk do të ndihmojë më”, tregon Volodymyr t’i kenë thënë ushtarët rusë.
Oleg Abramov, një saldues 40-vjeçar që jetonte jetë të qetë në Bucha, raportohet se u qëllua për vdekje jashtë shtëpisë së tij, pak minuta pasi trupat ruse pushtuan qytetin.
“Bashkëshorti im nuk ishte ushtar. Ai kurrë nuk kishte mbajtur armë. Ishte njeri paqësor. E morën nga shtëpia, i kërkuan të ulej në gjunjë dhe e vranë”, tregon Iryna.
Kur ajo doli dhe zbuloi trupin e bashkëshortit, pa katër ushtarë rusë që e nxorën Olegun nga shtëpia, duke qëndruar aty dhe duke pirë ujë.
Ajo u bërtiti duke u kërkuar ta qëllonin, njëri nga ta nxori armën, por e uli sërish, më pas e nxori dhe e uli sërish, derisa Volodymyri e tërhoqi vajzën e tij brenda.
Kryetari qytetit Bucha, Anatoliy Fedoruk, ka thënë se mbi 300 civilë janë vrarë.
Rusia ka mohuar akuzat për krime lufte.
Ushtarët rusë që e vranë Oleg Abramovin nuk kishin pyetur asgjë, tregon Iryna.
“Nuk kërkuan e nuk thanë asgjë, thjeshtë e vranë. I thanë të ulej, të hiqte fanellën dhe e qëlluan”, tregon Iryna.
Ajo me sy të përlotur tregon vendin se ku ia vranë bashkëshortin.
Volodymyr rrëfen se ushtarët u thanë se kanë tre minuta kohë të largohen.
“Ata ushtarë na thanë se kemi tre minuta të largohem dhe na detyruan të vraponim në shapka. Bucha ishte si apokalips, trupa të vdekur kudo, rrugët e mbushura me tym”, tha Volodymyr.
Volodymyr dhe Iryna nuk kishin zgjedhje, pos të largohen nga trupi i Olegut që ishte në rrugë. Aty kishte qëndruar për afro një muaj derisa ata u strehuan te shtëpia e një të afërmi. Kur ishte e sigurt të dilej, Volodymyr tentoi të varroste dhëndrin e tij. Por, i lodhur, dhe i frikësuar nga ushtarët rusë, Volodymyr e mori trupin e Olegut e futi në oborr dhe e la aty. Më vonë, ushtarët ukrainas e morën trupin, tha Volodymyr.
“Nuk e di se si do ta gjejmë”, tha Volodymyr.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.