Botë

Kancelari austriak Nehammer ngarend në Moskë për t’ia tundur dorën Putinit

rusia, vladimir putin, 10 prill, austria
 

Kancelari austriak do të takohet me diktatorin rus të hënën. Kjo është vizita e parë e një politikani europian në Moskë pas agresionit rus kundër Ukrainës. Opinionet në Perëndim janë të ndryshme lidhur me këtë vizitë. Austria mban lidhje të ngushta dhe jokritike me regjimin e Putinit prej vitesh. Pak muaj pas aneksimit të Krimesë Putin e pati vizituar Austrinë më 2014 dhe qe pritur krahëhapur nga politikanët e Vjenës. Austria ishte vendi i parë në BE që ia hapi dyert Putinit atëbotë. Vizita e tanishme gjithsesi do të jetë një rast për Putinin për t’u shfaqur para opinionit botëror si burrështetas. Dhe këtë mundësi po ia ofron kancelari austriak, thonë kritikët e tij.

Kancelari i Austrisë Karl Nehammer është nisur të dielën në mbrëmje për në Moskë. Të hënën në orën 15:00 ai do të takohet me Vlladimir Putinin në Kremlin. Pala austriake tha se vizita është bërë pas marrëveshjes me kancelarin gjerman, me kryetaren e Komisionit Europian, me kryetarin e Këshillit Europian, me presidentin turk dhe krerë të tjerë politikë. Edhe presidenti ukrainas është informuar, sipas austriakëve.

Kancelari Nehammer vizitoi të shtunën Kievin, ku u takua me kryetarin e Ukrainës, Vollodimir Zelenski. Nehammer do të jetë politikani i parë i nivelit të lartë nga vendet e BE-së që takon Putinin pas agresionit të tij kundër Ukrainës.