Ekspertët ndërkombëtarë kanë gjetur evidenca të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit nga Rusia në Ukrainë, thotë një raport i brendshëm i Organizatës Për Siguri dhe Bashkëpunim (OSBE).
Raporti përmend dështimet për të marrë masat e nevojshme paraprake, për të vepruar në mënyrë proporcionale, ose për t’i ruajtur vendet e tilla si shkollat dhe spitalet.
Raporti po ashtu e përmend sulmin e 9 marsit në spitalin e maternitetit në Mariupol, për të cilin thuhet se është kryer nga Rusia dhe se ata që janë përgjegjës kanë kryer krim lufte.
Mirëpo, Rusia e ka mohuar se qëndron pas këtij rasti dhe për të e ka fajësuar Ukrainën.
OSBE-ja ka përmendur në raport edhe sulmin me bombë në teatrin e Mariupolit, nga i cili thuhet se kanë mbetur të vrarë 300 persona, e të cilin e ka quajtur po ashtu krime lufte.
“Misioni nuk është në gjendje të konkludojë nëse sulmi rus në Ukrainë në vetvete mund të kualifikohet si një sulm i përhapur ose sistematik i drejtuar kundër një popullsie civile. Megjithatë misioni mendon se disa modele të akteve të dhunshme që shkelin ligjin ndërkombëtar të të drejtave të njeriut, të cilat janë dokumentuar në mënyrë të përsëritur gjatë konfliktit, të tilla si vrasja në shënjestër, zhdukja me forcë ose rrëmbimet e civilëve, ka të ngjarë të përmbushin këtë kualifikim. Çdo akt i vetëm i dhunshëm i këtij lloji, do të përbënte një krim kundër njerëzimit”, theksohet në raportin e OSBE-së.
Organizata po ashtu ka bërë të ditur se ka gjetur disa prova të shkeljeve nga Ukraina, si në trajtimin e të burgosurve të luftës, por se shkeljet e Rusisë ishin "shumë më të mëdha në natyrë dhe shkallë".
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.