Autoritetet kineze dërgojnë dhunshëm 92-vjeçaren në karantinë
Disa burra shkuan pas orës 2 të mëngjesit të së martës duke goditur derën e një apartamenti në një kompleks banesash në Shangai. Kur askush nuk u përgjigj, ata hapën bravën dhe hynë brenda, duke zgjuar një grua 92-vjeçare nga shtrati i saj, shkroi CNN të enjten.
Vizitorët kërkuan ta merrnin gruan dhe djalin e saj 74-vjeçar në qendrën e karantinimit, sepse, sipas të dhënave, të dy kishin rezultuar pozitivë me COVID-19 pesë ditë më parë, më 14 prill.
Kur gruaja e moshuar refuzoi të shkonte – të dy tashmë kishin rezultuar negativë – ajo u nxor nga shtrati dhe u zvarrit në dysheme. Me frikën për më të keqen, djali i saj e ndihmoi të vishej.
Ngjarja e treguar nga mbesa e saj, Zhe Ye, një ish-gazetare, ka tronditur dhe ka nxitur zemërim.
Qeveria lëshoi një deklaratë ku konfirmonte transferimin e vonë të dy të moshuarve në një qendër karantine.
E moshuara është në mesin e shumë qytetarëve që janë dërguar në karantinë ditëve të fundit, ndërsa autoritetet po rrisin përpjekjet që të ndalojnë përhapjen e koronavirusit brenda komunitetit.