Dy oligarkë rusë u gjetën të vdekur së bashku me gratë dhe fëmijët e tyre në një periudhë prej dy ditësh në dy anë të Evropës, njëri në Moskë e tjetri në Spanjë.
Vladislav Avayev, ish-zëvendës president i Gazprombank, u gjet i vdekur nga një plagë me armë zjarri në banesën e tij në Moskë të hënën, njoftoi agjencia shtetërore ruse e lajmeve Tass.
Departamenti i Hetimeve të Moskës nuk i dha emrat e viktimave në një deklaratë për rastin, por Tass tha se një burim i paidentifikuar konfirmoi identitetin e tyre.
Hetuesit në një deklaratë i dhanë më shumë mundësi teorisë së Avayev vrau gruan dhe vajzën e tij, e më pas edhe veten.
Në anën tjetër të Evropës, në Spanjë, një tjetër oligark, Sergei Protosenya, u gjet i varur, kurse gruaja dhe vajza e tij u goditën me thikë për vdekje, njoftoi televizioni spanjoll Telecinco.
Trupi i tij u gjet të martën. Pranë trupit të tij u gjet një thikë e gjakosur dhe një sëpatë.
Protosenya është ish-zëvendës president dhe llogaritari kryesor i Novatek, një kompani e madhe gazi që ka punuar ngushtë me Gazprombank.
Ai, gruaja dhe vajza e tij qëndruan në një vilë luksoze me qira në Lloret de Mar, një qytet bregdetar katalonjas, gjatë Pashkëve. Pasuria e tij vlerësohet në 400 milionë euro dhe familja e tij jetonte kryesisht në Francë.
Policia katalanase ka konfirmuar se po heton tri vdekje, pa përmendur emrat e viktimave.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.