Britania zotohet t’u dalë në ndihmë Finlandës e Suedisë nëse sulmohen nga Rusia
Foto: AP
Sekretari i Mbrojtjes i Britanisë së Madhe, Ben Wallace, ka deklaruar në një konferencë të përbashkët me homologun e tij finlandez, Antti Kaikkonen, se Britania do të vihej në ndihmë të Finlandës në rast të ndonjë sulmi.
Finlanda dhe Suedia janë duke e shqyrtuar mundësinë e aplikimit për t’u bërë anëtare të NATO-s, ndonëse janë përballur me kërcënime nga Rusia në rast të ndonjë vendimi të tillë, raportoi Sky News të mërkurën.
“Është e paimagjinueshme që Britania të mos vihej në ndihmë të Finlandës dhe Suedisë nëse ato do të sulmoheshin ndonjëherë. Pa ndonjë marrëveshje të madhe formale, ne jemi shtete evropiane të cilat ndajmë të njëjta vlera, e të cilat kanë histori të gjata”, ka thënë Wallace.
Finlanda ndan 1.300 km vijë kufitare me Rusinë, që nënkupton se hyrja e saj në aleancën ushtarake do ta vendoste NATO-n në dyer të Rusisë.
Rusia ka kërcënuar se do të vendosë armë bërthamore në enklavën e saj Baltike Kaliningrad, nëse Finlanda dhe Suedia anëtarësohen në NATO.