Kryeministri i Sri-Lankës ka thënë se vendi është në ditën e fundit të rezervave të karburanteve, pasi po përballet me krizën më të rëndë ekonomike në më shumë se 70 vjet.
Në një fjalim televiziv, Ranil Wickremesinghe tha se kombit i duhen urgjentisht 75 milionë dollarë në ditët e ardhshme për të paguar importet thelbësore.
Ai tha se Banka Qendrore duhet të prodhojë para për të paguar pagat e qeverisë, shkruan BBC-ja.
Wickremesinghe tha gjithashtu se “Sri Lankan Airlines” e cila është në pronësi të shtetit, duhet të privatizohet.
Ekonomia e vendit është goditur rëndë nga pandemia, duke u rritur çmimet e energjisë. Mungesa e valutës së huaj dhe rritja e inflacionit kanë çuar në një mungesë të madhe të barnave, karburanteve dhe sendeve tjera thelbësore.
Në kryeqytetin Colombo, mjetet e transportit kanë qëndruar me radhë në pompat e benzinës.
“Për momentin, ne kemi rezerva benzine vetëm për një ditë të vetme. Dy muajt e ardhshëm do të jenë më të vështirët e jetës sonë”, tha Wickremesinghe, i cili u emërua kryeministër të enjten.
Megjithatë, dërgesat e benzinës dhe naftës duke përdorur një linjë krediti me Indinë mund të ofrojnë furnizime në ditët e ardhshme, shtoi ai.
“Kundër dëshirës sime, jam i detyruar të lejoj shtypjen e parave për të paguar punonjësit e sektorit shtetëror dhe për të paguar mallrat dhe shërbimet thelbësore. Megjithatë, duhet të kujtojmë se shtypja e parave çon në zhvlerësimin e rupisë”, tha ai.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.