Botë

Debakli i radhës i Putinit

Foto: AP
 

Pas Kievit ushtria ukrainase e fiton edhe betejën në Harkiv.

Harkivi është çliruar. Kjo mbase nuk është e tepërt të thuhet përballë lajmeve nga qyteti i dytë ukrainas për nga madhësia, pas Kievit. Me 1,5 milionë banorë, me 42 shkolla të larta dhe universitete, me një aerport të ri me lidhje në shumë qytete europiane, me arkitekturë mbresëlënëse, Harkivi deri më 24 shkurt ishte qytet që ia vlente të vizitohej. Ndoshta tani ato kohëra do të kthehen sërish. Pas tre muaj rrethim dhe goditje me armë të ndryshme nga forcat ruse, Harkivi ka arritur ta dëbojë armikun, ndonëse rreziku nuk është zhdukur krejtësisht.

Në një video të publikuar nga Ministria e Mbrojtjes në Kiev shihen disa ushtarë ukrainas që vendsin një hu të lyer në ngjarat nacionale të Ukrainës në kufi me Rusinë. "Zoti president, jemi në kufi", dëgjohet një ushtar duke iu drejtuar Vollodimir Zelenskit. Është vështirë të verifikohet vërtetesia e videos, por sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg gjatë fundjavës deklaroi: "Ata (rusët) nuk ia dolën të marrin Kievin. Ata po tërhiqen nga rrethina e Harkivit, ofansiva e tyre në Donbas ka ngecur". Po gjatë fundjavës Institute for the Study of War, një think-ank i pavarur amerikan, njoftoi: "Ukraina me gjasë e ka fituar betejën për Harkivin".