Ushtarët ukrainas po vazhdojnë të përparojnë në veri dhe verilindje të Kharkivit, ka bërë të ditur kreu i administratës ushtarake rajonale të qytetit verilindor.
Oleh Syniehubov i tha televizionit ukrainas të martën se luftimet janë duke u zhvilluar në verilindje të qytetit të dytë më të madh të Ukrainës, në drejtim të qytetit të Vovchanskut, përgjatë kufirit Rusi-Ukrainë.
Qyteti është bërë një rrugë furnizimi për forcat ruse, derisa ato përpiqen të mbajnë ofensivën e tyre në rajonet e Donetskut dhe Luhanskut në jug. Ndërprerja e kësaj linje furnizimi mund të rrezikojë aftësinë e rusëve për të përforcuar ofensivën e tyre ndaj Slovianskut dhe Kramatorskut, shkruan BBC-ja të martën.
“Luftime aktive po zhvillohen në vendbanimet në veri të rajonit. Armiku është i fokusuar në mbajtjen e pozicioneve. Trupat tona duhet t’i zmbrapsin ata në çdo pëllëmbë të territorit tonë”, ka thënë ai.
Syniebuhov shtoi se përparimet e Ukrainës kishin ndihmuar reduktimin, por jo eliminimin e sulmeve të artilerisë ruse në Kharkiv. Kishte “heshtje relative për dy javët e fundit”, tha Syniebuov. “Megjithatë, armiku ndonjëherë godet me goditje artilerie”.
Të hënën pati sulme në distriktet Saltivka dhe Shevchenkivskyi afër Kharkivit, shtoi Syniebuhov.
“Dy persona u vranë dhe nëntë u plagosën në 24 orët e fundit”, tha ai.
Syniebuhov tha se bombardimet ruse në pjesët tjera të rajonit të Kharkivit vazhduan.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.