Japonia do të fillojë të kryejë "turizëm testues" në formën e turneve në maj, përpara një rihapjeje të plotë ndaj turizmit, raportoi “The Guardian” të martën.
Megjithëse turizmi ishte një shtyllë kryesore e ekonomisë së Japonisë, turistët nuk janë lejuar të hyjnë në këtë vend që kur shteti miratoi kontrolle të rrepta kufitare në vitin 2020, në fillimin të pandemisë së koronavirusit.
Rregulloret janë lehtësuar pak për të lejuar hyrjen e studentëve dhe disa udhëtarëve të biznesit. Por, turistët individualë mbeten të ndaluar, pavarësisht thirrjeve nga drejtuesit e industrisë që shpresojnë të rifillojnë turizmin për të përfituar nga jeni, i cili ka rënë në nivelet më të ulëta të 20 viteve.
Agjencia Japoneze e Turizmit tha se do të fillojë të lejojë turne në grupe të vogla që nga fundi i këtij muaji si "raste testimi" për të marrë informacion për një rifillim më të gjerë të turizmit në një datë të paspecifikuar.
Turistët që janë vaksinuar me tri doza dhe vijnë nga Shtetet e Bashkuara, Australia, Tajlanda dhe Singapori do të lejohen të marrin pjesë në turne, të cilat do të planifikohen rreptësishtë në bashkëpunim me agjencitë e udhëtimit dhe do të shoqërohen gjatë gjithë kohës nga drejtues turneu.
“Kjo sipërmarrje do të na lejojë të verifikojmë përputhshmërinë dhe përgjigjet emergjente për parandalimin e infeksionit dhe të formulojmë udhëzime për agjencitë e udhëtimit dhe operatorët e akomodimit”, ka thënë Agjencia.
Kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida, tha në fillim të këtij muaji në Londër, se në qershor do t’i bënte kontrollet kufitare të Japonisë në përputhje me demokracitë e tjera të pasura, por nuk janë dhënë detaje të mëtejshme.
Në vitin 2019, Japonia priti 31.9 milionë vizitorë të huaj, të cilët shpenzuan 37.2 miliardë dollarë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.