Këshilli Evropian “e mbështetë fuqishëm” aplikimin e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në NATO, ka thënë shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell të martën.
“Ato do të kenë mbështetje të fuqishme nga të gjitha shtetet anëtare sepse e rrit unitetin tonë dhe na bën më të fortë”, ka thënë Borrell pak para takimit të Këshillit Evropian në Bruksel.
Borrell ka shtuar se shpreson që NATO-ja do ta tejkalojë kundërshtimin e shtetit anëtar, Turqisë, që po kundërshton anëtarësimin e Suedisë e Finlandës.
“Jam i sigurt se Këshilli do ta ofrojë mbështetje të fuqishme anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO. E di që Turqia ka paraqitur kundërshtimin e saj. Mirëpo shpresoj që NATO-ja do të jetë në gjendje ta tejkalojë këtë”, ka thënë Borrell.
Turqia e cila e ka prezantuar veten si ndërmjetësuese mes Rusisë e Ukrainës, është shprehur e rezervuar për integrimin e Suedisë dhe Finlandës në aleancë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.