Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka njoftuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ndajnë 215 milionë dollarë shtesë për ndihmë urgjente ushqimore në Ukrainë, njoftoi të mërkurën CNN-i.
Blinkeni ka bërë thirrje ndaj vendeve tjera që të ndihmojnë me shpejtësi për të zbutur krizën globale të ushqimit, e cila po vazhdon të rritet për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.
"Sot, duke pasur parasysh urgjencën e krizës, ne po shpallim 215 milionë dollarë të tjera ndihmë të re urgjente ushqimore dhe do të bëjmë shumë më tepër. Presim që Kongresi ynë shumë shpejt të miratojë rreth 5.5 miliardë dollarë fonde shtesë për ndihmën humanitare dhe sigurinë ushqimore”, ka thënë Blinken në selinë e Kombeve të Bashkuara, gjatë një takimi ministror mbi sigurinë globale të ushqimit.
Ai ka shtuar se SHBA-ja do të ndajë edhe 500 milionë dollarë për të rritur prodhimin e plehrave në Shtetet e Bashkuara. Kjo, pasi ka një nevojë të shtuar për pleh në vendet që tradicionalisht e kanë marrë atë nga Rusia, e cila është eksportuesja më e madh në botë.
© KOHA.