Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan do të bisedojë të shtunën me krerët e Finlandës në lidhje me kërkesën e këtij shteti për t'u anëtarësuar në NATO.
Duke folur për gazetarët të premten, Erdogan tha gjithashtu se e kishte diskutuar këtë çështje me kryeministrin holandez, Mark Rutte dhe se do të fliste edhe me Britaninë të shtunën, raporton BBC.
Megjithatë, udhëheqësi turk nuk specifikoi se me kë do të fliste në Finlandë apo Britani.
Në fillim të kësaj jave, Erdogani tha se do t'i "thoshte jo" aplikimeve të Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në NATO.
"Ne do të vazhdojmë politikën tonë në mënyrë të vendosur. Ne u kemi thënë aleatëve se do t'i themi jo anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO”, ka thënë Erdogan.
Miratimi i kërkesës së Finlandës dhe Suedisë nga Turqia për t'u bashkuar me aleancën ushtarake perëndimore është thelbësor sepse NATO-ja i merr vendimet me konsensus.
Secili nga 30 vendet e tij anëtare e ka fuqinë për të vënë veton ndaj një kërkese anëtarësimi.
Erdogan ka thënë se kundërshtimi i Turqisë rrjedh nga shqetësimet dhe ankesat e saj të sigurisë me mbështetjen e perceptuar të Suedisë - dhe në një shkallë më të vogël të Finlandës për partinë e ndaluar të punëtorëve të Kurdistanit, ose PKK, dhe një grupi të armatosur në Siri që Turqia e sheh si një zgjatje të PKK-së.
Konflikti me PKK-në ka vrarë dhjetëra mijëra njerëz që nga viti 1984.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.