Një prej kompanive më të mëdha për nxjerrjen e mineraleve në botë ka tërhequr kërkesat për të hulumtuar tokën indigjene në pyllin e Amazonës në Brazil. Kompania ka hedhur poshtë përpjekjet e presidentit Jair Bolsonaro që të legalizojë nxjerrjen e mineraleve nga kjo zonë e shtetit.
Asociacioni brazilian i Minierave (Ibram), që përfaqëson rreth 130 kompani, ka bërë një sondazh të brendshëm në fillim të këtij viti, ka konfirmuar presidenti Raul Jungmann. Për herë të parë në dekadat e fundit, asnjë kompani nuk ka bërë hulumtime ose punime minerale për ar, kallaj, nikel, hekur apo xehe të tjera në zonat indigjene. Sondazhi as rezultatet e tij nuk janë bërë të ditura më parë.
Anëtarët e Asociacionit që janë përgjegjës për 85 për qind të xeheve të prodhuara legalisht në Brazil, përfshijnë gjigantët si Rio Tinto, Anglo American and Vale. Të tria kompanitë janë kontaktuar. Rio Tinto ka konfirmuar tërheqjen nga hulumtimet në vitin 2019. Ango American ka bërë të njëjtën gjë në marsin e vitit 2021. Vale është tërhequr nga kërkesa për nxjerrjen e mihjeve në fund të vitit të kaluar.
“Qëndrimi i Ibramit është se nuk është e mundur të kërkosh autorizim për nxjerrje të mihjeve në tokat indigjene nëse nuk ka rregullim kushtetues”, ka thënë Jungmann.
Rreth dy të tretat e kërkesave për hulumtim janë dorëzuar në agjencinë federale të minierave, para se Qeveria zyrtarisht ta shpallte territor indigjen, thuhet në studimin e gjeologut Tadeu Veiga, konsulent që jep mësim në Universitetin Kombëtar të Brazilisë.
Tërheqja kolektive e kompanive është bërë në kohën kur Bolsonaro ka insistuar se territoret indigjene përmbajnë burime minerale jetike për Brazilin dhe që do të sillnin prosperitet për shtetin dhe njerëzit vendas. Kushtetuta e Brazilit thotë se kërkimet për minerale mund të bëhen në tokat indigjene pas marrëveshjeve me vendasit dhe ligjeve që rregullojnë këto aktivitet. Më shumë se tri dekada më vonë, legjislacioni i tillë ende nuk është miratuar.
Planet e Bolsonaros
Bolsonaro po bënte përpjekje të ndryshonte këtë pjesë të Kushtetutës edhe para se të bëhej president, si senator i ashpër. Gjatë fushatës presidenciale të vitit 2018, kishte thënë se rezervat e elementit metalik të niobioumit, që gjendet në tokat indigjene, mund ta shndërronin Brazilin në gjigant të mineraleve, por propozimi u la anash pasi mori detyrën si president.
Burimet e gatshme të niobiumit, i përdorur si aliazh i çelikut, janë më se të mjaftueshme për të plotësuar kërkesat e botës, ka bërë të ditur Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Të premten, Bolsonaro është takuar me shefin e SpaceX dhe Teslas, Elon Muskun. Ai ka bërë thirrje se prodhimi i baterive me niobium, por më pas ka deklaruar se Musk nuk shfaqi interesim. “Për momentin kjo nuk është në radarin e tyre. Mendojnë se duhet të presin edhe pak për të investuar në këtë zonë”, ka thënë ai.
Bolsonaro vazhdimisht ka thënë se gati 14 për qind e Brazilit brenda territoreve indigjenëve është e tepërt dhe se qeveritë e huaja po mbrojnë të drejtat e indigjenëve si kumar për të shfrytëzuar vetë si pasuri minerale.
“Interesi për Amazonën nuk ka të bëjë me Indianin ose pemën e mallkuar. Janë xehet”, kishte thënë Bolsonaro gjatë vitit 2019.
Së fundmi në muajin mars, ai i bërë presion Kongresit për votimin emergjent të një projektligji të paraqitur nga ministritë e tij të Minierave dhe Drejtësisë që përfundimisht t’u bënin zgjidhje minierave në tokat indigjene. Ai kishte thënë se votimi ishte bërë me urgjencë shkaku i luftës në Ukrainë, që kërcënon furnizimin vendimtar me plehra artificial nga Rusia.
Me ligjin e ri, “brenda dy ose tre vjetësh ne nuk do të vareshim nga importi për nevojat tona në agrobiznes”, kishte thënë Bolsonaro. “Agrobiznesi është lokomotivë e ekonomisë sonë”.
Kritikët kanë thënë se qëllimi kryesor i projektligjit ishte mbulimi ligjor për mijëra gërmues të xeheve. Aktivitetet janë shpeshtuar në vitet e fundit shkaku i premtimeve të përsëritura nga Qeveria e Bolsonaros, anëtarët e së cilës kanë lidhje me kompanitë e xeheve.
Dëmet nga gërmimet
Gërmimet që bëjnë këto kompani shpesh zgjerohen, duke dëmtuar ambientin, duke shkatërruar shtretërit e lumenjve dhe duke prishur mënyrën tradicionale të jetës indigjene. Ndërkaq nxjerrja e xeheve në shkallë industriale në Amazonë shkakton plagë të mëdha në pyje.
Në muajin mars, kur pushteti i Bolsonaros po tentonte të përshpejtonte votimin e ligjit, mijëra indigjenë dhe përkrahës të tyre protestuan para Kongresit. Atyre u printe këngëtari i njohur brazilian, Caetao Veloso. Shpejt gjetën edhe një aleat të papritur: Ibramin, Asociacionin e minierave, që në të kaluarën ka qëndruar në hije.
Ligji i Bolsonaros nuk është i duhur për qëllimet që synohen, kishte thënë Asociacioni në një deklaratë. Duke shtuar se rregullimi i çështjes së territoreve indigjene duhet të debatohet nga shoqëria braziliane, sidomos mes njerëzve indigjenë, duke respektuar të drejtat kushtetuese dhe nga Kongresi brazilian”.
Jungmann thotë se Asociacioni i tij publikoi deklaratën e pazakontë, së pari, sepse kishte vendosur të bëhej më i hapur dhe transparent pas dy aksidenteve në miniera gjatë viteve 2015 dhe 2019. Në këto aksidente mbetën të vdekur qindra njerëz dhe u kontaminuan damarët ujorë.
Emërimi i Jungmannit, politikan i profilit të lartë, i cili ka qenë ministër në dy qeveritë e kaluara të qendrës së djathtë, gjithashtu reflekton këtë ndryshim të qëndrimeve.
Tjetër arsye, thotë Jungmann, është presioni ndërkombëtar për të përvetësuar praktika më miqësore për ambientin.
“Nuk jemi kundër nxjerrjes së mineraleve në tokat indigjene”, thotë ai. “Mirëpo mendojmë se ligji nuk është i duhuri sepse nuk përkon me Rezolutën ndërkombëtare 169, e cila kërkon liri dhe transparencë. Së dyti, nuk mbyll hapësirat ligjore për mihje të jashtëligjshme. Së treti, duam një projekt që ruan ambientin, sidomos pyjet e shiut”.
“Nxjerrja e mineraleve që vret dhe shkatërron komunitetet është rast për policinë, jo problem ekonomik”, thotë ai.
Propozimi i Bolsonaros ka pësuar një tjetër refuzim ndërkombëtar të enjten kur ekologu Philip Fearnside dhe pesë shkencëtarë tjerë publikuan një letër duke tërhequr vërejtjen se lufta në Ukrainë po shërbente si arsyetim për shkatërrimin e Amazonës.
Tokat indigjene janë vendimtare për ruajtjen e përfitimeve ekologjike të pyjeve të Amazonës në Brazil, kanë shkruar ata. Në letër u bëhet thirrje importuesve të mineraleve që të bojkotojnë me qëllim që t’ua bëjnë të qartë udhëheqësve brazilianë se këto veprime kanë pasoja” nëse miratohet ligji.
Për të përkeqësuar edhe më shumë gjendjen e Bolsonaros, kongresistët kanë refuzuar të sjellin në Kongres këtë ligj. Jungmann ka thënë se do të takohet me dy udhëheqësit e dhomave për të sqaruar kundërshtimet e Asociacionit. Ai gjithashtu pritet të takohet me këshilltarët e presidentit Bolsonaro.
Në një fjalim para bujqve më 25 prill, Bolsonaro mohoi kritikat nga Ibram dhe lëvizja indigjene, duke akuzuar se kërkimi i mineraleve në tokat indigjene do të ndodhte vetëm me miratimin e fisit indigjen.
Indigjenët vendimtarë
Ministria e Minierave rregulloren e minierave për zonat indigjene e ka cilësuar si të vonuar. Mungesa e rregullores sjell çrregullim dhe dëmtim mjedisor, thuhej në reagim.
Kompanitë e lidhura me Ibramin që po tërhiqen nga territoret indigjene, nuk do të thotë se ato apo të tjerat janë tërhequr përgjithmonë nga gërmimi i Amazonës, ose konfliktet me indigjenët janë pjesë e së kaluarës.
Belo Sun Mining Corp me qendër në Kanada po përpiqet të zhvillojë atë që do të ishte miniera më e madhe e arit në gropë të hapur në pyjet tropikale të Amazonës në Brazil. Komunitetet indigjene aty pranë pretendojnë se nuk janë konsultuar. Një tjetër kompani kanadeze, Brazil Potash Corp, po lufton në gjykatë për të zbatuar projektin prej 2.2 miliardë dollarësh pranë territorit të popullit Mura, të cilët kanë frikë se operacioni do të prekë tokat e tyre.
Asnjëra kompani nuk është e lidhur me Ibramin që nuk pranoi të komentojë në lidhje me rastet.
Baza e të dhënave e rregullatorit federal të minierave, e njohur si ANM, ende pasqyron aplikimet aktive nga shumë kompani të mëdha minerare në territoret indigjene. Grupet indigjene thonë se kjo do të thotë se kompanitë e mëdha minerare janë ende të interesuara për tokën e tyre.
Në një përgjigje të dërguar me email, rregullatori thotë se një kërkesë për tërheqje kalon përmes një procesi pastrimi përpara se një aplikacion të jetë zyrtarisht joaktiv. Ndonjëherë kjo mund të marrë vite. ANM nuk pranoi të japë detaje për aplikacione specifike. Jungmann i Ibramit thotë se agjencia duhet të kapërcejë problemet e saj teknike.
“Kompanitë minerare kanë treguar vëmendje në rritje ndaj parimeve të qeverisjes sociale dhe mjedisore. Aksionarët dhe shoqëria e kërkojnë atë”, thotë Veiga, që ka përvojë të gjerë konsultimi për kompani të tilla në Amazon, si dhe për organizata jofitimprurëse. “Dhe ato (kompanitë minerare) kurrë nuk u ndien se u morën në konsideratë me Projektligjin e Bolsonaro, i cili u interpretua si një përpjekje për të legalizuar minierat ilegale”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.