Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se nuk e njeh më liderin e Greqisë fqinje dhe se do të refuzojë ta takojë atë në një samit të planifikuar.
Erdogan akuzoi kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis se po kërkon ta bllokojë shitjen e avionëve luftarakë F-16 të prodhimit amerikan në Turqi.
“Nuk ka më njeri që quhet Mitsotakis në librin tim”, u tha Erdiogani gazetarëve pas një takimi të kabinetit, të martën.
Greqia tha se nuk do të hyjë në një “konfrontim deklaratash”, shkruan BBC-ja.
Mosmarrëveshja vjen mes kërcënimeve të Turqisë për të bllokuar zgjerimin e NATO-s.
Ankaraja ka akuzuar Finlandën dhe Suedinë për shkak se sipas saj, strehojnë anëtarë të milicive kurdë, që Turqia thotë se përbëjnë rrezik për të.
Erdogani akuzoi gjithashtu Greqinë, anëtare të NATO-s, se strehon “terroristë” dhe tha se lejimi i ripranimit të Athinës në bllokun e sigurisë në vitin 1980, ishte një gabim.
Tensionet janë rritur mes fqinjëve mesdhetarë, pasi Mitsotakis kërkoi nga një sesion i përbashkët i Kongresit të SHBA-së që të mos heqë ndalimin e anëtarësimit të Turqisë në një program blerjeje për avionin luftarak të gjeneratës së ardhshme F-35 javën e kaluar.
Administrata Biden thuhet se ka marrë në konsideratë heqjen e ndalimit, të vendosur pasi Ankaraja bleu një sistem të mbrojtjes ajrore S-400 nga Rusia në vitin 2019.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.