Një gjykatë në Moskë, të martën hodhi poshtë apelin e kritikut të burgosur të Kremlinit, Alexei Navalny, i dënuar me nëntë vjet burgim, shkruan AFP-ja të martëm.
Gjykata e Qytetit të Moskës vendosi që të "lë dënimin pa ndryshime" dhe të hyjë në fuqi menjëherë. Kjo do të thotë se Navalny do të transferohet në një burg me regjim më të rreptë për të kryer dënimin e tij, pasi u shpall fajtor në mars të këtij viti për përvetësim dhe përbuzje të gjykatës, akuza që ai i mohon.
Navalny, deri tash figura më e shquar e opozitës ruse, u dënua me nëntë vjet burgim në mars, përveç dy viteve e gjysmë që ai tashmë po i vuan. Navalny thotë se akuzat kundër tij janë të sajuara për të penguar ambiciet e tij politike.
Në seancën e së martës, Navalny kritikoi presidentin rus Vladimir Putin, duke e cilësuar atë si një të çmendur që ka nisur një "luftë marrëzie" në Ukrainë, të bazuar në gënjeshtra.
"Kjo është një luftë budallaqe që e filloi Putini juaj", tha Navalny, 45 vjeç, para gjykatës përmes një video-lidhjeje nga burgu. “Kjo luftë është ndërtuar mbi gënjeshtra”.
I ndërprerë vazhdimisht nga gjyqtari, Navalny i cilësoi "faktet" e prokurorisë si "gënjeshtra" dhe i krahasoi ato me gënjeshtrat që sipas tij Putini, udhëheqësi kryesor i Rusisë që nga dita e fundit e vitit 1999, ka përdorur për të nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
"Çfarë doni të arrini? Dëshironi kontroll afatshkurtër, të luftosh me brezat e ardhshëm, të luftosh për të ardhmen e Rusisë?", pyeti Navalny. “Të gjithë do të pësoni disfatë historike”.
Navalny tha se Rusia e Putinit drejtohet nga hajdutë dhe kriminelë që janë bërë armiq të popullit rus.
"Një i çmendur ka futur kthetrat e tij në Ukrainë dhe unë nuk e di se çfarë dëshiron të bëjë me të, ky hajdut i çmendur", tha Navalny për Putinin.
Kremlini ka hedhur poshtë vazhdimisht pretendimet e Navalnyt për Putinin. Kremlini zyrtar pretendon se Putini ka fituar shumë zgjedhje “të drejta në Rusi” që nga viti 2000 dhe mbetet politikani më popullor i vendit. Po ashtu e ka quajtur të pakuptimtë pretendimin e Navalnyt se Putini është i korruptuar.
Putin ngul këmbë se "operacioni special ushtarak" në Ukrainë është i nevojshëm për të çmilitarizuar dhe "denazifikuar" vendin dhe për shkak se SHBA-ja po e përdorte Ukrainën për të kërcënuar Rusinë.
Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë i refuzojnë këto si pretekste të pabaza për të pushtuar një vend sovran.
Deri më tash të çmendur, Putinin e ka quajtur edhe presidenti i SHBA-së, Joe Biden.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.