Përfaqësuesi i Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se ka diskutuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq nëpërmjet telefonit.
Borrell ka njoftuar se thirrja është bërë nga ai, ndërsa është biseduar për punë të rëndësishme që po i presin përpara Bashkimin Evropian dhe Ballkanin Perëndimor.
“Duam të llogarisim te Serbia si një kandidate e sinqertë dhe partnere e besueshme evropiane për parime, vlera, siguri dhe prosperitet të përbashkët”, ka shkruar Borrell në Tëitter.
Ai shtoi se në këtë bisedë janë trajtuar edhe çështjet rajonale, duke përfshirë Bosnjë-Hercegovinën dhe zgjedhjet e ardhshme në këtë vend.
Kjo bisedë midis Borrellit dhe Vuçiqit u zhvillua derisa presidenti serb po gjendet në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ku po merr pjesë në samitin e “Ballkanit të Hapur”.
Vuçiq nga Ohri të martën ka thënë se nuk e ka problem të flasë me palën kosovare për këtë iniciativë.
“Nuk e kam problem të flasë me askënd nga Prishtina. Shikoni shkëmbimin tregtar në CEFTA, sot është shumëherë më i madh se në fillim. Kjo sjell përfitime për Ballkanin”, ka thënë Vuçiq, raporton B92.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.