Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, të dielën ka njoftuar për nisjen e një partneriteti global të infrastrukturës, i krijuar për ta kundërshtuar ndikimin e Kinës në botën në zhvillim.
Nisma synon t’i shfrytëzojë 600 miliardë dollarë me vendet e tjera të Grupit të Shtatë ekonomive kryesore deri në vitin 2027 për t’i shpenzuar në projektet globale të infrastrukturës.
Zyrtarët amerikanë për një kohë të gjatë kanë paralajmëruar se iniciativat kineze për infrastrukturë futin shtetet në borxhe, ndërkaq me investime më shumë fiton Kina sesa shtetet në të cilat ajo investon.
Bideni e përshkroi nismën si “investim që do të sjellë fitime për të gjithë”, dhe ka theksuar se do t’i nxiste ekonomitë e të gjitha vendeve të përfshira.
“Është një mundësi për ne që ta ndajmë vizionin tonë pozitiv për të ardhmen dhe t’i lëmë komunitetet në mbarë botën ta shohin veten dhe t’i shohin vetë përfitimet konkrete të partneritetit me demokracitë”, ka theksuar ai.
Presidenti amerikan ka thënë se kur demokracitë tregojnë se çfarë mund të bëjnë, pa asnjë dyshim ato mund të fitojnë me investime.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.