Babai i një marokeni që pritet të ekzekutohet pasi është kapur nga separatistët e përkrahur nga Rusia në Ukrainë ka lutur të hënën presidentin rus, Vladimir Putin, që të intervenojë “si baba” dhe t’ia kursejë të birin e tij nga ekipi i pushkatimit.
“Dua që djali të më kthehet, ashtu siç do të donte çdo baba”, ka thënë Taher Saadoun nga kryeqyteti maroken, Rabati.
Saadoun gjithashtu i ka bërë thirrje qeverisë së Marokut që të nisë negociatat në emër të të birit të tij 21-vjeçar, Brahimi, i cili më 9 qershor u dënua me vdekje së bashku me dy britanikët, Aiden Aslin dhe Shaun Pinner. Të tre janë ushtarët e parë të huaj të dënuar nga rebelët e përkrahur nga Rusia në Ukrainë.
Gjykata në republikën e vetëshpallur të Donetskut ka dënuar të tre të huajt për terrorizëm dhe rrëzim të kushtetutës. Atyre u është dhënë një muaj për të apeluar vendimin dhe mund të ekzekutohen në fillim të korrikut nëse nuk bëjnë apelin.
Dënimin me vdekje e kanë kundërshtuar shtetet perëndimore, të cilat kanë thënë se është shkelje e ligjeve të luftës, mirëpo dënimin e tyre e kanë përkrahur zyrtarët e Rusisë.
Gjykata ruse ka pohuar se Saadoun ishte mercenar, mirëpo babai ka insistuar se ishte anëtar i rregullt i ushtrisë së Ukrainës dhe në momentin e kapjes ai ishte i veshur në uniformat ushtarake ukrainase dhe po mbante në krah armën me numër serik që i përkiste qeverisë ukrainase.
Ministrja e vetëshpallur e Punëve të Jashtme e republikës së Donetskut, Nataliya Nikonorova, ka thënë se asnjëri prej të dënuarve nuk ka bërë kërkesë për falje.
Babai ka thënë se avokati i të birit do të paraqesë apelin kur gjërat të qetësohen, pa treguar ndonjë datë. Avokati i britanikut Aslin ka thënë se klienti i tij është pesimist rreth mundësisë që autoritetet britanike të kontaktojnë Donetskun për apel.
Babai i Saadounit ka thënë se u ka shkruar Putinit dhe liderit të republikës së Doneskut. U është lutur që të intervenojnë për hatër të të birit të tij.
“I bëj thirrje presidentit rus Vladimir Putin që të ndërhyjë si baba, duke përdorur organizatat joqeveritare dhe humanitare dhe të kërkojë dialog”, ka thënë Taher Saadoun. “Rusia është përgjegjëse, sepse përkrah republikën e Donetskut”.
Nëna e Brahim Saadounit ka vizituar ambasadën ruse në Rabat. Familja thotë se rusët i kanë pritur ngrohtë dhe u kanë ofruar detaje për rastin e djalit të tyre. Babai ka thënë se ka besim në gjykatën e Donetskut dhe se i është mirënjohës Rusisë që ka kursyer jetën e të birit kur është kapur.
Babai, i pensionuar i Xhandarmërisë Mbretërore të Marokut, ka thënë se qeveria nuk e ka njoftuar asgjë për situatën e të birit, por është i mendimit se do ta kontaktojnë, “sepse unë paguaj taksat dhe jam ushtarak që mbajta armë për të mbrojtur vendin tim”.
“I bëj thirrje kryeministrit të Marokut që të angazhohet në dialog nëpërmjet kanaleve zyrtare dhe jozyrtare”, ka thënë ai.
Ministria e Jashtme e Marokut ka thënë se Saadoun ka nënshtetësinë ukrainase dhe është paraqitur në ushtrinë e Ukrainës me vetëdëshirë.
I lindur në qytetin Meknes, Brahim Saadoun, ka lexuar shumë dhe ishte nxënës i mirë. Përveç arabishtes, ai mësoi anglishten, frëngjishten dhe së fundmi edhe rusishten.
Familja shpresonte se ai do të studionte shkencat e gjithësisë dhe aviacionit në Rusi, por vendosi që të studionte në Ukrainë për shkak të çmimeve më të lira.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.