Burgim i përjetshëm për Salah Abdeslamin për sulmin në Paris që la të vdekur 130 veta
Foto: AP
I vetmi i mbijetuar i grupit që qëndronte prapa sulmit të nëntorit të vitit 2015 në Paris, është shpallur fajtor për terrorizëm dhe për akuzat për vrasje.
Salah Abdeslam është dënuar me burgim të përjetshëm, për rolin e tij në sulmet me armë dhe me bombë, të cilat lanë të vdekur 130 njerëz, raportoi BBC-ja të mërkurën.
Gjyqi - më i madhi në historinë moderne franceze, filloi shtatorin e vitit 2021.
Për më shumë se nëntë muaj, viktimat e mbijetuara, gazetarët dhe familjet e të vrarëve u rreshtuan jashtë sallës së gjyqit, e ndërtuar posaçërisht për këtë në Paris, për të parë gjykimin e sulmin më të rëndë në Francë, që nga Lufta e Dytë Botërore.
Sulmet nëpër bare, restorante, stadiumin kombëtar të futbollit dhe lokalin e muzikës “Bataclan” më 13 nëntor të vitit 2015, lanë qindra të plagosur, pos të vrarëve.
Abdeslam i tha gjykatës këtë javë se ai "nuk ishte një vrasës" dhe se ta dënohet për këtë, është "një padrejtësi".
Ai gjithashtu pohoi gjatë gjyqit se vendosi të mos e shpërthejë jelekun e tij vetëvrasës natën e sulmit dhe e hodhi atë në një periferi të Parisit.
Gjykata pranoi provat se jeleku vetëvrasës ishte me defekt dhe për këtë arsye nuk besoi atë që tha Abdeslam, se kishte ndërruar mendje në minutën e fundit.
Dënimi i tij i përjetshëm është dënimi më i rëndë për kriminelët, që mund të jepet sipas ligjit francez, me vetëm një shans të vogël për lirim me kusht pas 30 vjetësh. Kjo është hera e pestë që jepet dënimi me burgim të përjetshëm në këtë vend që nga viti 1994.