Kryeministri hungarez Viktor Orban ka thënë të premten se Bashkimi Evropian e goditi veten në mushkëri me sanksione të pamatura kundër Rusisë dhe se rrezikon të shkatërrojë ekonominë evropiane.
Një rritje e çmimeve të gazit dhe energjisë elektrike e detyroi nacionalistin Orban të heqë kufirin shumëvjeçar të shërbimeve komunale për familjet me shpenzime më të larta, duke zhbërë një nga politikat kryesore ekonomike të tij.
“Në fillim mendova se e goditëm veten vetëm në këmbë, por tani është e qartë se ekonomia evropiane ka goditur veten në mushkëri dhe po lufton për ajër”, ka thënë Orban në një intervistë për radion publike, transmeton BBC.
Orban deklaroi gjithashtu se Ukraina ka nevojë për ndihmë, por se liderët evropianë duhet të marrin në konsideratë strategjinë e tyre, sepse sanksionet i kanë shkaktuar dëme të mëdha ekonomisë evropiane pa e dobësuar Rusinë apo duke i dhënë fund luftës.
“Sanksionet nuk e kanë ndihmuar Ukrainën, megjithatë ato janë të këqija për ekonominë evropiane dhe nëse vazhdojnë kështu, do të vrasin ekonominë evropiane”, shtoi Orban.
Kryeministri hungarez po përballet aktualisht me sfidën më të madhe që nga marrja e pushtetit në vitin 2010. Inflacioni është më i larti në dy dekadat e fundit dhe monedha kombëtare, forinta, është në një nivel historikisht të ulët.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.