Kancelari gjerman Scholz: 6 vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë pjesë e BE-së, janë pjesë e familjes europiane

Në një editorial për gazetaën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” kancelari gjerman Olaf Scholz si asnjëherë më parë i ka bërë thirrje BE-së të bëhet akter gjeopolitik.
Kancelari gjerman Olaf Scholz i ka bërë thirrje Bashkimit Europian t’i japë fund “bllokadave egoiste të vendimeve europiane nga shtetet anëtare”. Pa përmendur shtete të caktuara, Scholz aludon në bllokadën disamujore të negociatave nga ana e Bullgarisë në rastin e Maqedonisë së Veriut. Duke pasur parasysh luftën në Ukrainë, Scholz shkroi në një editorial për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (botimi i së hënës) se në politikën e jashtme BE nuk duhet t’ia lejojë më vetes vetot nacionale nëse dëshiron të dëgjohet në një botë të superfuqive konkurruese. Scholz bëri thirrje që BE të bëhet akter gjeostrategjik.
“Kemi qartësuar se – më në fund – duhet të bëhet realitet perspektiva e anëtarësimit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ky premtim vlen. Këto vende janë pjesë e familjes sonë europiane. I duam në Bashkimin Europian. Natyrisht rruga deri aty është e shtruar me parakushte. Është me rëndësi që kjo të thuhet hapur, sepse asgjë s’do të ishte më keq se sa të ngjallen shpresa të rrejshme. Por rruga është e hapur dhe caku i qartë”, shkroi Scholz.
