2 perditesime
20:26

11 të vrarë e gjashtë të plagosur në Cetinë

Njëmbëdhjetë persona janë vrarë, ndërsa gjashtë të tjerë janë plagosur, si pasojë e të shtënave në Cetinë të Malit të Zi, kanë konfirmuar nga Policia për televizionin publik malazez.

Mësohet se ngjarjes i ka paraprirë një konflikt brenda familjes, ndërsa sulmuesi më pas ka dalë për të shtënë në rrugë këdo që i ka dalë përpara.

Sulmuesi ka qëlluar edhe në drejtim të Policisë, por është vrarë në konfrontim.

Siç shkruan mediumi publik malazez, sulmuesi është identifikuar si 34-vjeçari Vuk Boriloviq.

Katër persona janë dërguar në spitalin në Cetinë, ndërsa dy të tjerë në Podgoricë.

Mes të plagosurve është edhe një polic.

18:50

Raportohet për së paku 10 të vrarë nga të shtënat në Cetinë

Siç raporton “Vijesti”, bazuar në burimet brenda Policisë dhe Zyrës së Prokurorit në Mal të Zi, të paktën 10 persona dyshohet të jenë vrarë nga të shtënat me armë pasditen e së premtes në Cetinë. Katër të tjerë janë transportuar në spital. Në mesin e të vrarëve thuhet se ka edhe fëmijë.


Abazoviq: Mali i Zi s’mban mend një tragjedi të tillë

Image

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë se vendi që ai udhëheq nuk mban mend të ketë ndodhur një tragjedi si ajo e mesditës të së premtes në Cetinë, ku raportohet për së paku 10 të vdekur.

“I ftoj të gjithë qytetarët e Malit të Zi që të jenë me familjet e viktimave të pafajshme, të afërmit e tyre, miqtë dhe të gjithë qytetarët e Cetinës”, ka shkruar Abazoviq në Telegram.

Sipas Vijesti, mes të vdekurve ka edhe të mitur.

18:15

Cetinë: Disa të vrarë nga të shtënat me armë

Një 34-vjeçar ka vrarë disa persona në Cetinë të Malit të Zi pasditen e së premtes, dhe më pas është vrarë nga policia, ka raportuar “Vijesti”.

Siç shkruan ky medium, i dyshuari ka qëlluar me armë ndaj disa personave afër shtëpisë së vet në këtë qytet.

Sipas burimeve jozyrtare të “Vijestit”, gjithçka nisi nga një konflikt në familje.

Nuk ka ende njoftim zyrtar nga autoritetet.

Ndërkaq “Cetinje list” ka shkruar se ka të vrarë edhe fëmijë.