Në Zimbabvenë me monedhë ari, qytetarët shkëmbejnë ujin me ushqim

Pasi kreu punën si rojtar gjatë natës në një kishë në qytetin e zonës Mabvuku në Harare, Jeffrey Carlos ngutet për në shtëpi për ta ndihmuar gruan të marrë ujë për ta shitur.
Carlos, në Mabvuku, thotë se merr rreth 100 dollarë në muaj nga puna e tij si roje sigurie gjatë natës në një kishë. Kjo vështirë se mjafton për t’i paguar qiranë, tarifat e shkollës dhe nevoja të tjera bazë. Ndonjëherë, ai shkëmben ujë me ushqime. “Nëse marrim ujë për dikë, por ai nuk ka para, kështu që ne marrim domate, perime, fasule ose misër. Kështu e marrim ushqimin”, tha ai
Pasi kreu punën si rojtar gjatë natës në një kishë në qytetin e zonës Mabvuku në Harare, Jeffrey Carlos ngutet për në shtëpi për ta ndihmuar gruan të marrë ujë për ta shitur.
Mungesa e zgjatur e ujit nënkupton që shumica e banorëve të kryeqytetit prej më shumë se 2.4 milionë banorësh duhet të furnizohet vetë me ujë. Carlos është me fat, sepse prona që ai merr me qira ka një pus dhe familja e tij mund të mbushë kova me ujë për t’ua shitur fqinjëve.
“Ky është ari ynë”, thotë ai për ujin e pusit.
Fat në fatkeqësi
“Nëse jemi me fat, mund të shesim deri në 12 kova ujë (në ditë) për 2 dollarë”, tha 50-vjeçari, baba i tre fëmijëve. Kaq para janë të mjaftueshme për të blerë ushqimin e familjes për një ditë.
Rritja e çmimeve dhe zhvlerësimi i shpejtë i monedhës kanë shtyrë shumë zimbabveanë në zgrips, duke ua kujtuar njerëzve kur vendi i Afrikës së Jugut u përball me inflacionin rekord botëror prej 5 miliardë për qind më 2008. Me rritje të inflacionit nga 191% në qershor në 257% në korrik, shumë zimbabveanë kanë frikë se vendi po kthehet në një hiperinflacion të tillë.
Për të parandaluar kthimin e fatkeqësisë ekonomike, qeveria e presidentit Emmerson Mnangagwa muajin e kaluar ndërmori hapin e paprecedentë të futjes së monedhave të arit si mjet ligjor. Banka qendrore e vendit, Banka Rezervë e Zimbabvesë, tha se për shkak se vlera e monedhave 1 ons, 22 karatësh do të përcaktohet nga çmimi ndërkombëtar i arit, ato do të ndihmojnë në zbutjen e inflacionit të arratisur dhe stabilizimin e monedhës së vendit.
Shkëlqimi i monedhave të arit është i vështirë për t'u parë për zimbabveanët që përpiqen çdo ditë për të siguruar jetesën. Qeveria i sheh gjërat ndryshe dhe po kërkon kohë.
Edhe pse e shtrenjtë me çmim mesatar prej pak më pak se 2.000 dollarësh për monedhë, guvernatori i Bankës Qendrore, John Mangudya, tha se monedha do të ketë efekt pakësues që përfundimisht do të ndihmojë shtresën e mesme.

Luftë për kafshatë buke
“Njeriu i rëndomtë do të përfitojë më shumë nga stabiliteti (i siguruar nga) këto monedha ari. Aty ku ka stabilitet, paratë do të kenë vlerë dhe stabilitet në çmime”, tha Mangudya. Ai tha se banka qendrore planifikon të prezantojë monedha ari më të vogla në nëntor për t’i lejuar njerëzit t'i përdorin si mekanizëm kursimi. Monedhat më të vogla do të jenë gjysmë ons, një çerek ons dhe 10% e një ons, tha ai.
Por shumë qytetarë, si Carlos, thonë se vështirë se mund të përballojnë një vakt ushqimi, e lëre më të fitojnë mjaftueshëm për të kursyer.
“Ku do t'i gjej paratë për të blerë monedhat e arit? Është për ta, të pasurit. Njerëzit e varfër si unë nuk shohin ndonjë ndryshim. Gjërat vazhdojnë të jenë të vështira në këtë vend”, tha ai për “Associated Press” midis udhëtimeve drejt pusit për të nxjerrë kova me ujë.
“Monedhat e arit janë një skemë për elitën. Të pasurit bëhen më të pasur, të varfrit më të varfër”, tha Gift Mugano, profesor i ekonomisë gjatë një debati në tryezë të rrumbullakët në internet me titullin: “A ka ar në monedha?”
Me kaq shumë zimbabveanë që luftojnë për ushqim çdo ditë, ka pyetje nëse monedhat e arit do t’i ndihmojnë ata.
“Njerëzit po luftojnë. Ata mezi po ia dalin, kështu që shumica e njerëzve mund të mos kenë në fakt para për të kursyer në radhë të parë. Shumica e njerëzve janë në gjendje mbijetese për shkak të inflacionit”, tha Prosper Chitambara, ekonomist nga Harare.
Për t'ia dalë mbanë, shumë janë të detyruar të mbajnë disa vende pune.
Carlos, në Mabvuku, thotë se merr rreth 100 dollarë në muaj nga puna e tij si roje sigurie gjatë natës në një kishë. Kjo vështirë se mjafton për t’i paguar qiranë, tarifat e shkollës dhe nevoja të tjera bazë. Ndonjëherë, ai shkëmben ujë me ushqime.
“Nëse marrim ujë për dikë, por ai nuk ka para, kështu që ne marrim domate, perime, fasule ose misër. Kështu e marrim ushqimin”, tha ai.
Pa ujë e pa rrymë
Gruaja e tij, Christwish, 43 vjeçe, përgatit vaktin e mbrëmjes - ushqimin kryesor të misrit dhe perimet e këputura nga një kopsht i vogël shtëpie - mbi një zjarr me dru. Për shkak të ndërprerjeve të gjata të energjisë në Zimbabve, fëmijët i bëjnë detyrat e shtëpisë me një qiri, megjithëse prindërit i shtyjnë ta përdorin atë me masë.
“Drutë e zjarrit kushtojnë një dollar për një tufë të vogël të mjaftueshme për të gatuar për një vakt të vetëm. Qirinjtë janë gjithashtu shtrenjtë”, ankohet Christwish, i cili plotëson të ardhurat e familjes duke bërë punët e shtëpisë për familjet më të pasura në këmbim të parave ose artikujve ushqimorë.
Gjërat që më parë konsideroheshin si bazë tani janë të paarritshme, tha ajo. “Për herë të fundit hëngrëm bukë me margarinë në ditën e Krishtlindjes”, tha ajo. “Tani ne thjesht i shohim këto gjëra në dyqane dhe i lëmë atje”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.