Botë

Ideologjia e Trumpit po kërcënon demokracinë

 

Presidenti amerikan, Joe Biden, në një fjalim të enjten mbrëma ka thënë se ideologjia e Donald Trumpit “T’ia kthejmë Amerikës madhështinë” është duke e kërcënuar demokracinë amerikane. Bideni, në javët e fundit, ka ashpërsuar retorikën e tij kundër Trumpit para zgjedhjeve të mesme që do të balancojnë pushtetin në Washington.

Përkrahësit e agjendës së Donald Trumpit janë kërcënim për demokracinë, ka porositur presidenti amerikan Joe Biden. Në një fjalim në Pennsylvania, presidenti demokrat tha se forcat e agjendës së Trumpit “T’ia kthejmë Amerikës madhështinë” janë të vendosura për ta kthyer mbrapsht Amerikën.

“Shumëçka që po ndodh në vendin tonë sot nuk është normale. Donald Trumpi dhe republikanët e agjendës ‘MAGA’ përfaqësojnë ekstremizmin që kërcënon themelet e republikës sonë. Tani dua të jem shumë i qartë. Jo çdo republikan është republikan i agjendës MAGA. Jo çdo republikan përqafon këtë ideologji ekstreme. E di këtë, sepse kam punuar me republikanët e rryer. Por nuk ka dyshim se Partia Republikane është e dominuar dhe e poshtëruar nga Donald Trumpi dhe republikanët ‘MAGA. Dhe kjo është kërcënim për këtë shtet”, ka thënë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.