Toka në 8 miliardë: Konsumi dhe jo turma është çelësi i klimës

“Popullsia është çështje që askush nuk ka dashur ta prekë që në fillim. Shumë e ndjeshme politikisht”, ka theksuar Joanna Depledge, historiane e klimës nga Universiteti i Cambridgeit në Angli. “Ka shumë dimensione, veçanërisht në lidhje me fenë dhe akuzat për racizëm - rritja e popullsisë është e përqendruar kryesisht në popullatat jo të bardha, natyrisht”
Bota po bëhet më e nxehtë dhe më e mbushur me njerëz, dhe të dyja çështjet lidhen me njëra-tjetrën, por jo aq sa njerëzit mund të mendojnë, thonë ekspertët.
Të martën diku do të lindë një foshnjë që do të jetë personi i 8-miliardtë i globit, sipas një projeksioni nga Kombet e Bashkuara dhe ekspertë të tjerë. Toka është ngrohur pothuajse 0.9 gradë celsius që kur bota arriti në 4 miliardë në 1974.
Klima dhe popullsia janë një temë e ndjeshme për shkencëtarët dhe zyrtarët.
Teksa më shumë njerëz që konsumojnë energji, kryesisht nga djegia e lëndëve djegëse fosile, po ngrohin planetin, çështja kryesore nuk është numri i njerëzve aq sa një pjesë e vogël e atyre njerëzve po shkaktojnë shumë më tepër sesa pjesa e tyre e ndotjes së karbonit, kanë thënë disa ekspertë të klimës dhe popullsisë për Associated Press.
“Kemi një çështje të rëndësishme me popullsinë dhe kemi edhe një problem me popullsinë”, ka theksuar Vanessa Perez-Cicera, drejtore e Qendrës së Ekonomisë Globale në Institutin e Burimeve Botërore. “Por mendoj se më e rëndësishmja, e kemi çështjen e mbikonsumit”.
Dhe për shkak të kësaj, fëmija i 8-miliardtë i lindur “nuk do të ketë atë që kishim..., sepse nuk ka burime të mjaftueshme”, tha ajo.
Thatësia në Kenia
Kenia, e cila po vuan nga një thatësirë shkatërruese, ka 55 milionë njerëz, rreth 95 herë më shumë se popullsia e Wyomingut. Mirëpo Wyomingu liron 3.7 herë më shumë dyoksid karboni sesa Kenia. Afrika në tërësi ka 16.7% të popullsisë së botës, por historikisht emeton vetëm 3% të ndotjes globale të karbonit, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë 4.5% të njerëzve të planetit, por që nga viti 1959 kanë nxjerrë 21.5% të dyoksidit të karbonit që bllokon nxehtësinë.
Kanadezët, sauditët dhe australianët mesatarisht nxjerrin 10 herë më shumë dyoksid karboni në ajër përmes jetesës së tyre të përditshme sesa pakistanezët mesatarë, ku një e treta e vendit u përmbyt nga një ngjarje e përkeqësuar e ndryshimeve klimatike. Dhe në Katar, emetimet për frymë janë 20 herë më të larta se ato të Pakistanit, sipas Bankës Botërore.
“Pyetja nuk ka të bëjë me popullsinë, por më tepër me modelet e konsumit”, ka bërë të ditur shkencëtari klimatik Bill Hare i Climate Analytics. “Kështu që është më mirë të shikojmë emetuesit kryesorë veriorë për të filluar”.
Climate Interactive, grup shkencëtarësh që drejtojnë simulime kompjuterike të ndërlikuara që mund të modifikohen për të parë se cilët faktorë kanë më shumë rëndësi në luftimin e ndryshimeve klimatike, shikoi ndryshimin që bën popullsia. Ai zbuloi se dha një kontribut të vogël në krahasim me faktorë të tjerë, si ekonomia.
Duke krahasuar dy skenarë të parashikimeve të popullsisë së Kombeve të Bashkuara për 8.8 miliardë njerëz dhe 10.4 miliardë njerëz, Drew Jones i Climate Interactive gjeti vetëm një ndryshim prej 0.2 gradë celsius. Por diferenca pa çmim ose taksë mbi karbonin dhe 100 dollarë për ton ishte 0.7 gradë celsius.
Hare ka treguar se ka më shumë se një nuancë racizmi në mitin se mbipopullimi është çështja kryesore pas ndryshimit të klimës.
“Një nga argumentet më të mëdha që unë dëgjoj pothuajse ekskluzivisht nga burrat në vendet me të ardhura të larta është se:“Oh, është vetëm një problem popullsie”’, ka theksuar shefja për ruajtjen e natyrës, Katharine Hayhoe. “Asgjë nuk mund të jetë më larg nga e vërteta”.
“50% e njerëzve më të varfër në botë janë historikisht përgjegjës për 7% të emetimeve të gazit që e bllokojnë nxehtësinë”, ka sqaruar Hayhoe. “Megjithatë, kur shikoni se cilat vende po mbajnë peshën kryesore të ndikimeve nga ndryshimet klimatike, vende si Malavi, Mozambiku, Senegali, Afganistani kryesuan listën”.
Ndotja nga të pasurit
Dhe madje edhe brenda vendeve janë më të pasurit ata që shkaktojnë më shumë ndotje me karbon, ka thënë Hare. Në përgjithësi, tha ai, “80% e popullsisë, popullsia globale lëshon një pjesë të vogël të emetimeve”.
Popullsia e botës po rritet kryesisht në Afrikën subsahariane dhe në Azinë Jugore “dhe ata po kontribuojnë më së paku në ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu”, ka vënë në dukje Colette Rose, koordinatore e projektit në Institutin e Berlinit për Popullsinë dhe Zhvillimin.
Tetë vende, pesë në Afrikë, tri në Azi, do të kenë të paktën gjysmën e rritjes së popullsisë nga tani deri në vitin 2050, tha Rose. Këto vende janë Egjipti, Etiopia, Tanzania, Nigeria, Republika Demokratike e Kongos, Pakistani, India dhe Filipinet.
Rritja e popullsisë në mbarë botën është ngadalësuar ndjeshëm, ka të ngjarë të arrijë kulmin diku këtë shekull dhe tani po rritet me më pak se 1% në vit, ka njoftuar Rose. Por emetimet e karbonit po rriten më shpejt, me 1% më shumë këtë vit se 2021.
Për grupet dhe zyrtarët e avokimit të mjedisit, çështja e popullsisë dhe e klimës ka shkaktuar probleme.
“Popullsia është çështje që askush nuk ka dashur ta prekë që në fillim. Shumë e ndjeshme politikisht”, ka theksuar Joanna Depledge, historiane e klimës nga Universiteti i Cambridgeit në Angli, në një email. “Ka shumë dimensione, veçanërisht në lidhje me fenë dhe akuzat për racizëm - rritja e popullsisë është e përqendruar kryesisht në popullatat jo të bardha, natyrisht”.
Për një kohë të gjatë Sierra Club kishte promovuar përpjekjet për të kontrolluar popullsinë botërore, deri disa dekada më parë, kur grupi mjedisor e shikoi më shumë këtë çështje dhe i zbërtheu numrat, tha presidenti i grupit, Ramon Cruz. Ata zbuluan se problemet ishin më shumë konsumi i tepërt dhe përdorimi i karburanteve fosile dhe ato probleme do të ishin të njëjta “në 6 miliardë, 7 miliardë ose 8 miliardë njerëz”, ka shpjeguar ai.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.