Kryeministrja finlandeze, Sanna Marin, ka thënë se Evropa vetëm nuk është "mjaft e fortë" për t'i bërë ballë pushtimit rus të Ukrainës dhe i është dashur të mbështetet në SHBA-në.
Gjatë një vizite në Australi, udhëheqësja e anëtarit në pritje të NATO-s tha se mbrojtja e Evropës duhet të forcohet, raportoi BBC.
“Duhet të jem brutalisht e sinqertë me ju, Evropa nuk është mjaft e fortë tani”, tha ajo. “Do të ishim në telashe pa Shtetet e Bashkuara”.
SHBA është deri tani ofruesi më i madh i ndihmës ushtarake për Ukrainën.
Donatori i dytë më i madh është Bashkimi Evropian, i ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar. Por kontributet e tyre janë pakësuar nga ato të SHBA-së.
Dhe me stoqet ushtarake të vendeve evropiane që po shterohen ndërsa furnizojnë Ukrainën, Marin tha se duhet bërë më shumë për të forcuar mbrojtjen evropiane.
"Shtetet e Bashkuara kanë dhënë shumë armë, shumë ndihma financiare, shumë ndihma humanitare për Ukrainën dhe Evropa nuk është ende mjaft e fortë."
Ajo shtoi se Evropa duhet të sigurohet se "po i ndërton ato aftësi kur bëhet fjalë për mbrojtjen evropiane, industrinë evropiane të mbrojtjes dhe duke u siguruar që ne mund të përballemi në lloje të ndryshme situatash".
Ndërsa ishte në detyrë, presidenti i SHBA-së Donald Trump kritikoi rregullisht vendet evropiane në NATO se nuk shpenzonin mjaftueshëm për mbrojtjen.
© KOHA.