Autoritetet iraniane kanë dënuar me vdekje 5 persona pasi pretendohet se vranë paramilitarin Ruhollah Ajamian, anëtar i grupit të forcave që janë të asocuara me Gardë Revolucionare të Iranit. 11 të tjerë janë dënuar me burgim, raporton “The Guardian” të mërkurën.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve IRNA, Ajamian ishte anëtar i Basij, degë vullnetare e forcave paramilitare të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit.
Pesë të dënuarit me vdekje ishin akuzuar nga Gjykata revolucionare e Iranit të hënën. Në mesin e të dënuarve me burgim janë edhe tre të mitur të cilët ishin akuzuar nga Gjykata penale e Iranit, thuhet në raportin e IRNA-s.
Dënimi i tyre, më i gjatë është 25 vjet burgim, mund të apelohet.
Vrasja ndodhi në Karaj, afër Tehranit më 12 nëntor, kur një grup i burrave ndoqi dhe sulmoi Ajamianin me thika dhe gurë, thuhet nga IRNA.
Në të njëjtën kohë po zhvilloheshin edhe protesta kundër Qeverisë.
Protestat, të cilat po hyjnë në muajin e tretë të zhvillimit të tyre, filluan me vrasjen e 22-vjeçares, Mahsa Amini, e cila ishte ndaluar nën dyshimin se kishte shkelur kodin strikt të veshjes së Republikës Islamike të Iranit, raporton “The Guardian”.
Javën e kaluar, autoritetet iraniane ekzekutuan katër persona nën akuzën që punonin me agjencinë inteligjente të Izraelit, Mossad. Sipas Aktivistëve për të Drejtat e Njeriut në Iran, deri më tani javë vrarë 473 persona dhe 18 mijë e 200 të tjerë janë arrestuar në këto protesta.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.