7 perditesime
23:13

Zelensky: Raketat “Patriot” do ta ndryshojnë lojën

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e quan sistemin e mbrojtjes raketore “Patriot” që SHBA-ja do të dërgojë në Ukrainë një "hap shumë të rëndësishëm për të krijuar hapësirë ​​të sigurt ajrore mbi Ukrainë".

Ai thotë se kjo do të forcojë "në mënyrë të konsiderueshme" mbrojtjen e vendit.

Zelensky ka shtuar se nuk mund të japë më shumë detaje për arsye sigurie, por thotë se mbrojtja e vendit do të forcohet në muajt e ardhshëm.

Ai i kërkoi gjithashtu Kongresit të SHBA-së të miratojë më shumë fonde, duke thënë se gjithçka "do të shkojë drejt forcimit të sigurisë sonë globale".

“Rusia duhet të mbajë përgjegjësi për gjithçka që ka bërë”, ka thënë Zelensky në konferencën për shtyp bashkë me presidentin amerikan, Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë.

23:01

Biden: Demokratët dhe republikanët e dinë se duhet ta mbështesim Ukrainën

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka deklaruar se "amerikanët nga çdo fushë e jetës" - duke përfshirë demokratët dhe republikanët "e kuptojnë se lufta e Ukrainës është pjesë e diçkaje shumë më të madhe".

Bideni ka thënë gjatë një konference të përbashkët për media me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë, se populli amerikan e di se duhet të qëndrojë përballë sulmeve ndaj lirisë dhe demokracisë.

“Populli amerikan e di se nëse ne qëndrojmë në këmbë përballë sulmeve të tilla flagrante ndaj lirisë dhe demokracisë dhe parimeve thelbësore të sovranitetit dhe integritetit territorial, bota me siguri do të përballet me pasoja më të këqija”, ka thënë Biden.

21:32

Biden – Zelenskyt: Nder i madh të jem pran teje

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, i ka thënë presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, se është nderi i madh që ndodhet pranë tij.

“Është nder që jam pranë teje”, i ka thënë Bideni homologut të tij ukrainas, Zelensky, derisa ia ka përmendur edhe vazhdimin e ndihmës financiare dhe ushtarake.

Zelensky po qëndron në SHBA, derisa aktualisht është duke u zhvilluar një takim ndërmjet dy presidentëve në zyrën ovale.

Zelensky ka thënë se ai ka dashur ta vizitojë më herët SHBA-në por që ka qenë e pamundur.

 

20:55

Zelensky ia dhuron Bidenit një shpërblim ushtarak

Në Shtëpinë e Bardhë po vazhdon takimi mes presidentit të SHBA-së, Joe Biden dhe atij të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Presidentri i Ukrainës ka thënë gjatë takimit se “është nder i madh” që ndodhet në SHBA. Lideri ukrainas më pas i referohet vizitës që ka pasur në qytetin Bakhmut një ditë më parë.

Zelensky ka thënë se një kapiten atje i ka kërkuar atij që t’ia dërgojë Bidenit një çmim ushtarak, për shkak se “është një president shumë i guximshëm”.

Bideni e ka falënderuar Zelenskyn dhe ka thënë se dëshiron ta kontaktojë kapitenin për t’ia kthyer një dhuratë.

20:14

Nis takimi Biden-Zelensky në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka arritur në Shtëpi të Bardhë.

Zelensky është pritur me tepih të kuq dhe me dy flamuj duke qëndruar pranë njëri-tjetrit, ai ukrainas dhe amerikan, raportoi BBC-ja të mërkurën.

Ai është pritur nga presidenti Biden dhe Zonja e Parë, Jill Biden.

Të tre kanë pozuar së bashku për një pjesë të vogël të fotografëve, derisa më pas kanë hyrë në zyrën ovale ku prite të zhvillohet një takim bilateral për rreth dy orë.

20:01

Zelensky pas arritjes në SHBA: Do ta kthejmë flamurin ukrainas në të gjithë territorin

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se vitin e ardhshëm do ta kthejnë flamurin ukrainas në të gjithë territorin e Ukrainës.

Kjo është deklarata e parë e Zelenskyt mas mbërritjes në SHBA të mërkurën, për një takim me presidentin, Joe Biden.

“Vitin e ardhshëm, ne duhet t'i kthejmë flamurin dhe lirinë ukrainase të gjithë tokës sonë, të gjithë popullit tonë”, ka shkruar Zelensky në llogarinë e tij në Telegram me të arritur në SHBA.

Vizita e Zelenskyt në SHBA shënon daljen e parë të tij nga Ukraina që kur ka nisur lufta atje, më 24 shkurt.

19:08

Zelensky arrin në SHBA, barrikadohet Washingtoni

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka arritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Një zëdhënës i lartë i Ukrainës e ka konfirmuar për NBC News.

Dy zyrtarë amerikanë kanë thënë se Zelensky udhëtoi me avionin ushtarak të SHBA-së për në Washington.

Ai pritet të takohet me presidentin Joe Biden dhe më pas të shkojë në Capitol për t’u adresuar në një sesion të përbashkët të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve.

Washingtoni ka marrë masa të larta sigurie për arritjen e Zelenskyt. 

08:37

Zelensky pritet të takohet me Bidenin, do t'i drejtohet edhe Kongresit

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, të mërkurën në Uashington do të takohet me presidentin amerikan Joe Biden. Në udhëtimin e tij të parë jashtë vendit, që nga shkurti kur Rusia filloi pushtimin e Ukrainës, Zelensky do t’i drejtohet edhe Kongresit.

Zelensky në llogarinë e tij në Twitter ka shkruar se vizita ka për qëllim “forcimin e aftësive mbrojtëse" të Ukrainës si dhe thellimin e bashkëpunimin midis vendit të tij dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Udhëtimi i Zelenskyt po ndodh pas 10 muajsh luftë brutale, në të cilën kanë humbur jetën dhjetëra mijëra persona, nga të dyja palët.

Vizita po ndodh edhe pasi që ligjvënësit amerikanë kanë vendosur të votojnë për mbështetjen e Ukrainës me rreth 45 miliardë dollarë, derisa Pentagoni po përgatitet të dërgojë raketa të llojit “Patriot” tokë-ajër, si ndihmë për të mbrojtur vendin. Këto raketa do t'i mundësojë Ukrainës të mbrojë infrastrukturën e saj jetike nga sulmet ruse. / AP