42 të arrestuar për vrasjen e shtatë personave në Jerusalem
Policia izraelite ka arrestuar 42 persona në lidhje me sulmin vdekjeprurës në një sinagogë në lindje të Jerusalemit të premten mbrëma. Shtatë persona janë vrarë dhe së paku tre të tjerë janë plagosur në një prej sulmeve më vdekjeprurëse në vitet e fundit.
Dy persona të tjerë janë plagosur të shtunën në një sulm tjetër që ndodhi jashtë qytetit të vjetër të Jerusalemit. Policia izraelite ka bërë të ditur se i dyshuari për sulmin e së shtunës është një 13-vjeçar. Policia ka thënë se i dyshuari është neutralizuar, por nuk ka ofruar detaje të tjera.
Në reagim ndaj dy sulmeve, autoritetet izraelite kanë angazhuar më shumë policë në pjesë të ndryshme të Jerusalemit për të parandaluar sulmet e mundshme të palestinezëve.
I dyshuari për sulmin në sinagogë është identifikuar si palestinez nga Jerusalemi Lindor, të cilin policia e ka cilësuar si terrorist. Policia ka bërë të ditur se i dyshuari është vrarë pas sulmit.