Një grup prej rreth 60 pelegrinësh katolikë po rikuperojnë veten pasi kaluan nëntë ditë ecje nëpër Sudanin Jugor të shkatërruar nga lufta për të parë Papa Françeskun në kryeqytetin Juba.
"Më dhembin këmbët, por nuk jam aq e lodhur. Kur shpirti është me ty, nuk lodhesh", tha NightRose Falea ndërsa lëpiu buzët e saj të çara dhe të thara.
"Nuk do ta humbisja për asgjë. Ne jemi këtu për të marrë bekimet e Papës. Jam e bindur se me bekimet e tij gjërat do të ndryshojnë për këtë vend”, tha ajo për BBC.
Të shtyra nga besimi dhe ndjenja e patriotizmit, gratë ishin nisur nga Rumbek - rreth 300 km në veri-perëndim të Jubës.
Misioni i tyre: t'i bashkohen Papës në lutje për kombin më të ri në botë, i cili është përfshirë nga konflikti që nga pavarësia e tij më 2011 - një situatë që ka sjellë mjerim për miliona njerëz të tij.
"Ne ecnim për disa orë çdo ditë dhe pastaj kalonim natën në famullitë në qendrat ku ishim. Ishte e lodhshme, por ia vlente", tha Faith Biel.
Rrobat e tyre të njollosura, këmbët me flluska dhe buzët e plasaritura dëshmonin për vështirësinë e udhëtimit nëntë-ditor, por ata ende kërcenin për të festuar arritjen e tyre.
Ato i prisnin pije freskuese në kishën katolike të Shën Terezës në Juba, ku një festë mikpritëse kishte nisur edhe duke kënduar dhe kërcyer.
Një pelegrine, e cila po derdhte lot kur mbërriti, la të kuptohej trauma që vitet e luftimeve i kanë sjellë këtij vendi.
“Kur të kesh nuhatur dhe parë vdekjen dhe mungesën e shpresës, atëherë do të kërkosh paqen me gjithë fuqinë që ke”, tha gruaja, e cila nuk deshi të jepte emrin e saj.
"Kam humbur mjaftueshëm, por gjatë rrugës pashë dashurinë dhe të gjithë flisnim një gjuhë - atë të paqes. Unë me të vërtetë lutem që edhe pas largimit të Papës, ne të jemi akoma të tillë", vazhdoi ajo.
© KOHA.