Balona shuan shpresat për fundin e tensioneve SHBA-Kinë

Anulimi i vizitës së sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në Kinë krijon pasiguri në rivendosjen e marrëdhënieve të mira diplomatike mes dy ekonomive më të mëdha në botë
Anulimi i vizitës së sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në Kinë krijon pasiguri në rivendosjen e marrëdhënieve të mira diplomatike mes dy ekonomive më të mëdha në botë
E hëna supozohej të ishte ditë shprese modeste në marrëdhëniet SHBA-Kinë. Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, do të ishte në Pekin, duke u takuar me presidentin Xi Jinping në një përpjekje të madhe për të lehtësuar tensionet gjithnjë e në rritje midis dy ekonomive më të mëdha në botë.
Në vend të kësaj, Blinkeni po kalonte ditën në Washington pasi anuloi papritur vizitën e tij në fund të javës së kaluar, ndërsa SHBA-ja dhe Kina shkëmbyen fjalë të ashpra për një balonë të dyshuar spiunazhe kineze që SHBA-ja e rrëzoi. Sado e tensionuar që marrëdhënia SHBA-Kinë të ketë qenë përpara udhëtimit të planifikuar të Blinkenit, është edhe më keq tani dhe ka pak shpresë për përmirësimin e saj së shpejti.
Edhe pse të dyja palët pohojnë se do ta menaxhojnë situatën në një mënyrë të qetë, akuzat e ndërsjella, veçanërisht që nga rrëzimi i balonës të shtunën që shkaktoi një protestë të ashpër kineze, nuk do të jetë një shenjë e mirë për afrim.

Përpjekja për “riprogramim”
Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, vuri në dukje të hënën se udhëtimi i Blinkenit ishte shtyrë, jo anuluar. Por perspektivat për riprogramim mbeten të pasigurta.
"Nga 1 deri në 10, unë do ta notoja me gjashtë”, tha Danny Russel, ekspert i Kinës dhe ish-ndihmëssekretar i Shtetit për çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit në administratën Obama, mbi dëmin e përpjekjeve aktuale diplomatike midis dy vendeve.
"Sinjalet që shoh sugjerojnë se duhet të ketë një pauzë dhe një vijë të caktuar nën incidentin, por pasi drama të ketë kaluar aktin e saj përfundimtar, duket se synohet riorganizimi i një udhëtimi nga sekretari i Shtetit", tha Russel, i cili tani është nënkryetar për sigurinë ndërkombëtare dhe diplomacinë në Institutin e Politikave të Shoqërisë së Azisë.
Administrata do të "fillojë me një deficit serioz", tha Russel. "Kjo është një pengesë, por nuk është e pamundur të shihet një kthim. Në mungesë të keqmenaxhimit, kjo është e rikuperueshme".
Blinkeni dhe zyrtarë të lartë kinezë do të planifikojnë të marrin pjesë në të paktën dy tubime ndërkombëtare - Konferencën e Sigurisë së Munihut në mes të shkurtit dhe një takim të Grupit të 20 ministrave të jashtëm, në Indi, në fillim të marsit - që mund të sigurojnë vende për angazhim të rinovuar.
Por mundësia e humbur e shkaktuar nga incidenti me balonë mund të jetë e vështirë të rikrijohet.
Nuk është se SHBA-ja dhe Kina nuk flasin. Është se ato flasin nga këndvështrime jashtëzakonisht të ndryshme me shumë pak liri veprimi për të hequr dorë nga pozicionet e ngulitura që shpesh lidhen drejtpërdrejt me kushtet politike në vend.
Komunikimi ushtarak
Përdoren kanale ndërmjet ushtrive, por ato janë penguar nga shtimi i inkursioneve kineze në zonat e mbrojtjes ajrore tajvaneze dhe veprimet agresive në Detin e Kinës Jugore. Rezultati është se SHBA-ja ka rritur fluturimet e gjurmimit dhe lundrimet e anijeve luftarake nëpër ngushticën e Tajvanit.
Kanalet diplomatike mbeten të hapura, por prej disa vitesh ato janë mbizotëruar nga mosmarrëveshjet dhe jo nga bazat për bashkëpunim të mundshëm dhe tani janë të mbushura me ankesa nga të dyja palët për balona.
Presidenti Joe Biden dhe Xi ranë dakord për vizitën e Blinkenit gjatë një takimi në nëntor në Indonezi. Bideni mund të ketë shpresuar se kryediplomati i tij do të kthehej nga Kina me një masë progresi në çështjet që variojnë nga tregtia, siguria në Indo-Paqësor dhe ndryshimet klimatike deri te të drejtat e njeriut dhe statusi i Tajvanit. Në vend të kësaj, ai tani përballet me një vorbull politike të brendshme pak përpara fjalimit të tij të kombit në Kongres.
Ligjvënësit republikanë kanë qenë kritikë të ashpër ndaj asaj që ata thonë se ishte përgjigjja e dobët e Bidenit ndaj pranisë së balonës mbi hapësirën ajrore të SHBA-së. Udhëtimi i pritshëm i kryetarit të Dhomës së re të Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, në Tajvan këtë vit ka të ngjarë të shoqërohet me ankesa të reja në lidhje me qasjen e administratës.
Ndërkohë në Pekin, pasi fillimisht morën një përgjigje relativisht pajtuese ndaj balonës, liderët kinezë kanë miratuar një pozicion shumë më të ashpër në përgjigje të reagimit publik nacionalist. Pasi kërkoi falje për balonën, për të cilën tha se ishte një mjet meteorologjik që gabimisht depërtoi në hapësirën ajrore të SHBA-së, Kina tani e dënon rrëzimin si një shkelje të papranueshme të së drejtës ndërkombëtare dhe standardeve që ka penguar potencialin për dialog.
“Vizita e Blinkenit në Kinë kishte ofruar një mënyrë për të stabilizuar marrëdhëniet SHBA-Kinë”, tha Da Wei, drejtor i Qendrës për Sigurinë Ndërkombëtare dhe Strategjinë në Universitetin prestigjioz Tsinghua të Pekinit. Shtyrja tani ka "reduktuar shumë" pikëpamjen për këtë, tha ai.
Përveç implikimeve politike për të dyja, zhvillimet kanë nxjerrë në pah natyrën jashtëzakonisht të brishtë të asaj që shumëkush shpresonte se mund të ishte një rivalitet i menaxhueshëm ekonomik, politik dhe ushtarak.
Luftë e ftohtë ndryshe
Tensionet midis SHBA-së dhe Kinës, veçanërisht mbi Tajvanin, kanë qenë një burim shqetësimi i thellë për Washingtonin dhe për shumë prej aleatëve të tij. Ata shqetësohen se konflikti i hapur do të ndikojë në ekonominë globale dhe shqetësimet e tyre u përkeqësuan vitin e kaluar me pushtimin e Ukrainës nga Rusia, në të cilën Kina ka mbajtur kryesisht anën e rusëve.
Në të njëjtën kohë, Kina dhe Shtetet e Bashkuara kanë qenë në një kurs përplasjeje për çështje të tjera, duke përfshirë agresivitetin në rritje të Kinës në detet e Kinës Jugore dhe Lindore, të cilat kanë vënë në avantazh aleatët e SHBA-së si Japonia, Koreja e Jugut, Filipinet dhe Tajlanda, për të mos përmendur Australinë dhe Zelandën e Re.
Shtypja e vazhdueshme e Kinës ndaj aktivistëve pro-demokracisë në Hong-Kong, rekordi i saj për të drejtat e njeriut në rajonin perëndimor kryesisht mysliman të Xinjiangut, ngacmimi dhe burgimi i të krishterëve dhe pakicave të tjera fetare gjetkë, dhe fushata e vazhdueshme kundër liderëve tibetianë janë bërë të gjitha irritues të rëndësishëm në lidhje.
Gjatë pesë vjetëve të fundit, marrëdhëniet Kinë-SHBA kanë hyrë në një fazë të re dhe përkeqësuese të konfrontimit, konfliktit dhe konkurrencës, tha Da, duke e quajtur periudhën aktuale një "lloj të ri të luftës së ftohtë".
“Është shumë ndryshe nga lufta e ftohtë mes SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik, por nëse e përkufizojmë luftën e ftohtë si dy vendet më të mëdha në botë që janë të mbyllura në konfrontime dhe konflikte të ashpra në një mënyrë që nuk përfshin ushtri dhe luftëra... ne po lëvizim me shpejtësi në atë drejtim", tha Da.
Përktheu: Forca Jashari
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.