Ish-presidenti amerikan Donald Trump ka folur për akuzat se balona kineze e dyshuar si pajisje spiunazhi fluturoi mbi Shtetet e Bashkuara edhe gjatë mandatit të tij.
Pasi pjesëtarët e ushtrisë amerikane rrëzuan një balonë që po fluturonte mbi SHBA-në të shutnën, filloi debati nëse balona të ngjashme kishin hyrë më parë në hapësirën ajrore amerikane.
Zyrtarët nga administrata Biden kanë theksuar se janë të gatshëm të informojnë ish-zyrtarët e Trumpit për informacione të reja që tregojnë se Kina dërgoi balona spiunazhi në hapësirën ajrore amerikane gjatë mandatit të Trumpit.
“Ky informacion u zbulua pas largimit të administratës së mëparshme. Agjencitë e inteligjencës janë të gatshme të ofrojnë raporte për bashkëpunëtorët kryesorë të Trumpit”, ka thënë një nga zyrtarët, transmeton Politico.
Megjithatë, Trumpi në rrjetin e tij social mohoi akuzat e administratës aktuale.
“Asnjë balonë kineze nuk ka fluturuar mbi SHBA-në në asnjë mënyrë apo formë gjatë kohës që kam qenë president. Nëse kjo do të kishte ndodhur, ne do t'i kishim rrëzuar menjëherë. Ashtu si pretendimet për lidhjet ruse, të gjitha këto janë dezinformata që vijnë nga demokratët. Gënjejnë!”, ka shkruar Trump.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.