Pas rrëzimit të dronit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shkak se një avion rus ka prekur helikën e tij mbi Detin e Zi, ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba ka thënë se nuk priste ndonjë përshkallëzim diplomatik, raportoi të mërkurën BBC-ja.
Sipas tij, incidente të tilla si rrëzimi i dronit amerikan MQ-9 Reaper, mbi Detin e Zi janë të pashmangshme derisa Rusia të largohet nga Krimea.
Duke e përshkruar atë si një incident rutinë, Kuleba ka thënë për BBC-në se për sa kohë që Rusia kontrollon Krimenë, Deti i Zi nuk do të jetë vend i sigurt.
"Pra, mënyra e vetme për të parandaluar incidente të tilla është në fakt të dëbojmë Rusinë nga Krimea", ka thënë ai.
Zyrtarët ushtarakë amerikanë kanë thënë se incidenti ndodhi të martën në mëngjes dhe konfrontimi zgjati rreth 30-40 minuta.
“Disa herë para përplasjes, avionët rusë hodhën karburant mbi dronin në mënyrë të pamatur, të pasigurt për mjedisin dhe joprofesionale”, ka thënë SHBA-ja në një deklaratë të martën.
Rusia ka mohuar se dy avionët e saj luftarakë Su-27 kanë pasur ndonjë kontakt me dronin amerikan. Ministria ruse e Mbrojtjes tha se droni u rrëzua pas një "manovre të mprehtë" dhe se po fluturonte me transponderët (pajisjet e komunikimit) të fikur.
Tensionet janë rritur mbi Detin e Zi që nga aneksimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014. Dhe që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia, SHBA-ja dhe Britania e Madhe kanë rritur fluturimet e vëzhgimit, ndonëse operojnë gjithmonë në hapësirën ajrore ndërkombëtare.
© KOHA.