Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Lloyd Austin, ka biseduar me homologun e tij rus, Sergei Shoigu, pas rrëzimit të dronit amerikan mbi Detin e Zi të martën, për të cilin Uashingtoni ka fajësuar Moskën, raportoi të mërkurën Aj Jazeera.
Teksa tha në konferencën për shtyp se ka folur me ministrin rus të Mbrojtjes, Austini nuk pranoi të jepte detaje shtesë mbi diskutimet e tyre.
Këto bisedime të rralla të nivelit të lartë ndodhën një ditë pasi zyrtarët amerikanë kanë thënë se një avion rus ka goditur një dron amerikan MQ-9 Reaper, duke e detyruar të rrëzohej. Moska ka mohuar të ketë ndodhur përplasja.
Incidenti do të shënonte herën e parë që asetet ushtarake të SHBA-së dhe Rusisë kanë kontaktuar që nga fillimi i luftës në Ukrainë në shkurt të vitit të kaluar dhe ka nxitur shqetësime për një përshkallëzim të mundshëm midis vendeve.
Megjithatë, Austini ta se SHBA-ja e merr shumë seriozisht çdo potencial për përshkallëzim.
“Dhe kjo është arsyeja pse unë besoj se është e rëndësishme të mbahen linjat e komunikimit të hapura”, ka thënë ai. “Siç e kam thënë në mënyrë të përsëritur, është e rëndësishme që fuqitë e mëdha të jenë modele të transparencës dhe komunikimit dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të fluturojnë dhe të veprojnë kudo që e lejon ligji ndërkombëtar. Është detyrë e Rusisë që të operojë me avionët e saj ushtarakë në mënyrë të sigurt dhe profesionale”, ka shtuar Austini.
Kontakti midis zyrtarëve të lartë të mbrojtjes amerikane dhe ruse ka qenë relativisht i rrallë që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës më 24 shkurt 2022.
Austini dhe Shoigu folën për herë të parë për ofensivën e Rusisë në maj të vitit të kaluar dhe në tetor kur ata folën dy herë në tre ditë në mes të një kërcënimi të shtuar për përshkallëzim në konflikt.
Të mërkurën, Austini përsëriti versionin amerikan të asaj që ndodhi mbi Detin e Zi këtë javë, duke thënë se një avion luftarak rus kapi dronin amerikan në hapësirën ajrore ndërkombëtare.
"Ky episod i rrezikshëm është pjesë e një modeli veprimesh agresive, të rrezikshme dhe të pasigurta nga pilotët rusë në hapësirën ajrore ndërkombëtare", tha ai.
Zyrtarët amerikanë thanë gjithashtu se avioni rus hodhi karburant në dronin prej 30 milionë dollarësh përpara përplasjes.
© KOHA.