Dy gra janë therur për vdekje në një qendër fetare myslimane në Lisbonë të Portugalisë, raporton BBC.
Sulmi ka ndodhur në Qendrën Ismaili në Avenida Lusiada. I dyshuari, që ishte në posedim të një thike të madhe, u qëllua në këmbë nga policët.
Ai u arrestua dhe u dërgua në spital. Motivet e sulmit janë të paqarta.
Policia ka thënë se ka marrë telefonatë rreth orës 11:00, pasi i dyshuari është futur në qendër.
Zyrtarët i kërkuan të ndalonte, por ai nuk përfilli urdhrat dhe u qëllua.
Duke folur për “SIC Noticias”, lideri i komunitetit Ismaili, Nazim Ahmad, ka thënë se sulmuesi ishte afgan dhe viktimat ishin gra portugeze.
Në uebfaqe komuniteti ka thënë se “është i shokuar dhe i trishtuar nga incidenti dhe i ofron përkrahje familjeve të viktimave”.
Kryeministri i Portugalisë, Antonio Costa, ka thënë se është ende herët për të folur për motivet.
Policia i ka bërë thirrje publikut ta evitojë zonën në afërsi të Qendrës Ismaili.
“E gjitha ndodhi shumë shpejt. Policia janë këtu në qendër duke hetuar”, ka thënë një punonjëse.
Ismailizmi është një degë e islaimit shiit. Ndjekësit e njohin princin Karim Aga Khan si udhëheqës të tyre spiritual.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.