Dënimet “artistike” ruse

Alexei Moskalyov u padit për një sërë postimesh në mediat sociale në lidhje me mizoritë ruse në Ukrainë. Sipas avokatit të tij dhe aktivistëve që e mbështetën gjatë gjithë rastit dhe gjyqit, problemet e tij filluan pranverën e kaluar, pasi vajza e tij 13-vjeçare, Maria, vizatoi një imazh kundër luftës në shkollën e saj
(AP) – Një gjykatë ruse të martën dënoi një baba beqar për postimet në mediat sociale, kritike për luftën në Ukrainë, dhe e dënoi me dy vjet burgim – një rast i ngritur kundër tij pasi vizatimi i vajzës së tij në shkollë kundërshtoi pushtimin sipas avokatit të tij dhe aktivistëve.
Por Alexei Moskalyov iku nga arresti shtëpiak përpara se vendimi i tij të jepej në qytetin rus të lindjes, Yefremov, dhe është i lirë, thanë zyrtarët e gjykatës. Vajza e tij 13-vjeçare, Maria, e cila është marrë nga autoritetet, i shkroi një letër mbështetëse për gjykimin e tij nga jetimorja ku ajo jeton, sipas avokatit të tij, duke i thënë: “Babi, ti je heroi im”.
Rasti i Moskalyovit ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare dhe është një kujtesë e zymtë se si Kremlini po intensifikon goditjen ndaj mospajtimit, duke synuar më shumë njerëz dhe duke dhënë dënime më të ashpra për çdo kritikë të luftës. Fushata e gjerë qeveritare e represionit ka qenë e paparë që nga epoka sovjetike.
Moskalyovi, 54 vjeç, u akuzua për diskreditim të përsëritur të ushtrisë ruse, një vepër penale në përputhje me një ligj që autoritetet ruse miratuan menjëherë pas dërgimit të trupave në Ukrainë.
“Lavdi Ukrainës”
Ai u padit për një sërë postimesh në mediat sociale në lidhje me mizoritë ruse në Ukrainë dhe duke iu referuar regjimit "terrorist" në Moskë që ai këmbëngul se nuk i bëri. Por, sipas avokatit dhe aktivistëve që e mbështetën gjatë gjithë rastit dhe gjyqit, problemet e tij filluan pranverën e kaluar pasi vajza e tij 13-vjeçare, Maria, vizatoi një imazh kundër luftës në shkollën Nr. 9 të Yefremovit, që përshkruante raketa që fluturonin mbi një flamur rus drejt një gruaje dhe një fëmije dhe tha: "Lavdi Ukrainës".
Në prill të vitit 2022, Moskalyovi u gjobit për komente kritike në mediat sociale. Banesa e tij u bastis në dhjetor dhe kundër tij u hap një çështje penale këtë muaj. Ai u vendos në arrest shtëpiak dhe vajza iu dërgua në jetimore.
Në gjyqin, i cili përfundoi brenda një dite të hënën, tre mësues dhe drejtori i shkollës së Marias dëshmuan se i gjetën rastësisht postimet "diskredituese" të Moskalyovit në mediat sociale dhe se vizatimi i Marias nuk kishte asnjë lidhje me çështjen - në kundërshtim me rrëfimet e avokatit dhe mbështetësve të tjerë. Burra me uniforma ushtarake dhe medalje u shfaqën në gjykatë të hënën, me sa duket në mbështetje të autoriteteve.
Moskalyovi hodhi poshtë akuzat dhe këmbënguli se ai nuk kishte të bënte asgjë me postimet e mediave sociale në fjalë.
Në një deklaratë të shkurtër përmbyllëse, Moskalyovi tha se ai ishte "kundër" asaj që Kremlini këmbëngul për ta quajtur "operacion special ushtarak".
“Si mund të ndihet njeriu për vdekjen, për njerëzit që po vdesin? Të rriturit po vdesin, fëmijët. ... Vetëm negativisht – si mund të ndihet ndryshe për një luftë?” - ai u citua të thoshte nga faqja e pavarur ruse e lajmeve, Mediazona.
Zyrtarët e gjykatës thanë se Moskalyovi shkeli masën e arrestit shtëpiak gjatë natës nga banesa e tij në Yefremov, rreth 300 kilometra në jug të Moskës dhe nga një distancë e ngjashme në veri të kufirit ukrainas. Ai kishte të vendosur një byzylyk që gjurmonte lëvizjet e tij, por me sa duket e kishte hequr.
Kur një zyrtar njoftoi në gjykatë të martën se Moskalyovi kishte ikur, disa të pranishëm bërtitën, "Bravo!"
Vjedhja e të drejtës prindërore
Avokati i Moskalyovit, Vladimir Biliyenko, tha se ai mësoi për zhdukjen e klientit të tij në seancë. Moskalyovi ishte planifikuar të dilte sërish në gjykatë javën e ardhshme për një peticion për të kufizuar të drejtat e tij prindërore.
Biliyenko i tha Associated Pressit se peticioni i autoriteteve për të kufizuar të drejtat prindërore të Moskalyovit bazohej pothuajse vetëm në pikëpamjet e tij politike dhe ndjekjen e tij për diskreditimin e ushtrisë, që ata thanë se përbënte një kërcënim për vajzën e tij.
Zyrtarët kanë akuzuar gjithashtu Moskalyovin si një prind të pakujdesshëm, sepse Maria e ndërpreu shkollën pasi vizatimi i saj u raportua në polici dhe ajo u mor në pyetje. Sipas mbështetësve të Biliyenkos dhe Moskalyovit, ajo kishte frikë të kthehej pas kësaj dhe të studionte në shtëpi.
Avokati e përshkroi ndjekjen penale të Moskalyovit si "ngacmim të familjes".
Mbt: “Babi, ti je heroi im”
Avokati vizitoi Marian në jetimore të martën dhe u tha gazetarëve se ndërsa ai nuk u lejua ta shihte atë, administratorët lokalë e lejuan atë të fotografonte një letër që ajo i shkroi babait të saj, e cila përfundonte me: "Babi, ti je heroi im". Biliyenkos iu dhanë gjithashtu dy vizatime të bëra nga Maria, që përshkruanin një qen dhe lepuj.
Olga Podolskaya, një anëtare e këshillit bashkiak të Yefremovit, e cila ka ndihmuar Moskalyovin, i tha AP-së se babai dhe vajza e duan qartë njëri-tjetrin dhe vendimi për ta marrë Marian ishte i motivuar politikisht. Nëna e Marias u largua kur vajza ishte 3 vjeçe dhe ka një familje tjetër në një qytet tjetër, tha Podolskaya për AP-në me telefon.
Podolskaya tha se lajmi se Moskalyovi i shpëtoi arrestit shtëpiak e tronditi atë.
"Ne të gjithë jemi vërtet të shqetësuar, përfshirë avokatin e Alexeit", tha ajo, duke shtuar se shpresa tani ishte që të afërmit e tjerë të kërkonin kujdestarinë e Marias.
Biliyenko tha pas seancës se ai u përpoq ta telefononte Moskalyovin pas vizitës së tij në jetimore, por ai nuk po i përgjigjej telefonit të tij. “Mendova se po e sillnin këtu (në gjykatë), sepse zakonisht mbërrijnë paraprakisht”, tha ai.
Mesazhi në varr për Putinin: “Ju rritët një përbindësh dhe një vrasës"
Aktivistët rusë për të drejtat e njeriut thonë se Kremlini ka rritur presionin ndaj atyre që nuk pajtohen me luftën. Grupi i të drejtave OVD-Info që gjurmon çështjet politike dhe ofron ndihmë juridike, këtë muaj ka regjistruar një rritje të dënimeve me burgim për njerëzit e ndjekur penalisht për qëndrimin e tyre kundër luftës, tha Daria Korolenko, avokate dhe analiste e grupit.
“Represioni po rritet”, tha Korolenko për AP-në në një intervistë telefonike, duke shtuar se shifrat pritet të vazhdojnë të rriten.
Gjithashtu të martën, një gjykatë në Shën Peterburg vazhdoi një seancë dëgjimore në çështjen kundër Irina Tsibanevas, 60 vjeçe, e cila akuzohet për përdhosjen e një varri. Në tetor ajo la një shënim në varrin e prindërve të presidentit Vladimir Putin ku, ndër të tjera, thuhej: "Ju rritët një përbindësh dhe një vrasës". Ajo rrezikon deri në pesë vjet burgim nëse shpallet fajtore.
Në fillim të këtij muaji, një gjykatë në rajonin e afërt të Tverit dënoi një çift të martuar me 6 vjet e gjysmë dhe 7 vjet burgim me akuzën e vandalizmit dhe përhapjes së informacionit të rremë për ushtrinë. Sipas OVD-Info, Alexander Martynov dhe Lyudmila Razumova u akuzuan pas postimeve kritike në mediat sociale dhe sloganeve kundër luftës dhe antiqeveritare që dyshohet se kanë shkruar në ndërtesa.
Në Moskë javën e kaluar policia bastisi dy bare të dyshuara për mbledhjen e fondeve për ushtrinë e Ukrainës. Sipas raportimeve të mediave, policia lëshoi këngë patriotike dhe i detyroi të ftuarit të këndonin së bashku gjatë bastisjes. Të paktën 40 persona u arrestuan për një kohë të shkurtër.
Një tjetër bastisje e fundit në kryeqytet synoi një ngjarje kushtuar artistit të burgosur, Sasha Skochilenko, i cili është në gjyq për përhapjen e informacionit të rremë rreth ushtrisë. Pjesëmarrësit e ngjarjes raportuan se ishin rrahur nga policia ose ishin kërcënuar me përdhunim.
Në qytetin lindor të largët të Vladivostokut, një gjykatë anuloi lirimin e një artisteje feministe e cila u gjykua me akuzat për shpërndarje pornografie pasi ajo ndau vepra arti në internet të trupave të grave. Rasti i Yulia Tsevtkovas tërhoqi zemërim ndërkombëtar dhe përfundoi me një lirim të rrallë vitin e kaluar pas frikës se ajo do të dërgohej në burg. Që atëherë, Tsvetkova është larguar nga Rusia; për rastin e saj është urdhëruar një gjykim i ri.
Në Yefremov, Yelena Agafonova, aktiviste që ka ndihmuar familjen Moskalyov, i tha AP-së pas gjyqit se çdokush mund të përplaset me autoritetet këto ditë me komentet e tyre.
“Ndoshta fëmijët tuaj do ta shprehin mendimin e tyre diku. Ndoshta fëmijët tuaj do të qeshin me diçka diku dhe do të jenë pikërisht në të njëjtën situatë në të cilën ndodhet tani kjo familje”, tha ajo. “Ndoshta një fqinj, i cili mendon se ka parë diçka (të pakëndshme) do të raportojë për ju. Pra, ndërsa jeni shtrirë në divan, e gjithë kjo do të ndodhë gjithnjë e më shumë dhe më shumë”.
Përktheu: Forca Jashari

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.