(AP) - Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka hedhur poshtë sugjerimin e presidentit Joe Biden se kryeministri “largohet” nga një plan i diskutueshëm për ta riparuar sistemin ligjor, duke thënë se vendi i merr vetë vendimet e veta.
Shkëmbimi ishte një përplasje e rrallë e mosmarrëveshjeve publike midis dy aleatëve të ngushtë dhe sinjalizon fillimin e një “mosmarrëveshjeje” midis Izraelit dhe SHBA-së për ndryshimet gjyqësore të Netanyahut, të cilat ai i shtyu pas protestave masive.
I pyetur nga gazetarët se çfarë shpreson që kryeministri të bëjë me legjislacionin, Biden u përgjigj: “Shpresoj që ai të largohet prej tij”. Presidenti ka shtuar se Qeveria e Netanyahut “nuk mund ta vazhdojë në këtë rrugë” dhe kërkoi kompromis mbi planin që shqetëson Izraelin. Presidenti foli gjithashtu rreth sugjerimit të ambasadorit amerikan, Thomas Nides, se Netanyahu së shpejti do të ftohej në Shtëpinë e Bardhë, duke thënë: “Jo, jo në një afat të afërt”.
Netanyahu u përgjigj se Izraeli është sovran dhe “i merr vendimet me vullnetin e popullit të tij dhe jo bazuar në presionet nga jashtë, duke përfshirë edhe miqtë më të mirë”.
Më vonë, Netanyahu dha një ton më pajtues, duke thënë se teksa “Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kanë pasur dallimet e tyre të herëpashershme”, aleanca mes tyre ishte “e palëkundshme”.
“Asgjë nuk mund ta ndryshojë këtë”, ka theksuar ai në komentet në Samitin e Departamentit të Shtetit për Demokraci.
Shkëmbimi i ftohtë erdhi një ditë pasi Netanyahu bëri thirrje për ndalimin e legjislacionit të diskutueshëm të qeverisë së tij “për ta shmangur luftën civile” në vazhdën e dy ditëve radhazi të protestave masive që tërhoqën dhjetëra mijëra njerëz në rrugët e Izraelit.
“Shpresojmë se kryeministri do të veprojë në një mënyrë që të mund të përpiqet të arrijë një kompromis të vërtetë. Por kjo mbetet për t’u parë”, u ka thënë Biden gazetarëve teksa u largua nga Karolina e Veriut për t’u kthyer në Uashington.
Organizatorët izraelitë të protestës bënë thirrje për një demonstratë në mbështetje të Bidenit jashtë ndërtesës së Ambasadës së SHBA-së në Tel- Aviv, teksa aleatët e Netanyahut dyfishuan kritikat e tyre.
Itamar Ben-Gvir, aleat i ngushtë i Netanyahut dhe ministër përgjegjës për policinë, i ka thënë Radios së Ushtrisë së Izraelit se Izraeli “nuk është një yll tjetër në flamurin amerikan”.
“Unë pres që presidenti amerikan ta kuptojë këtë”, ka theksuar ai.
Duke folur për radion publike Kan, ministri i Arsimit, Yoav Kisch, ka thënë se “një mik nuk mund të përpiqet t’i imponohet tjetrit në lidhje me çështjet e brendshme”.
Netanyahu pati disa grindje publike me presidentin e atëhershëm, Barack Obama, mbi politikat e Izraelit ndaj palestinezëve dhe çështjen bërthamore iraniane. Në vitin 2015, ai e ka mbështetur Shtëpinë e Bardhë për t’iu drejtuar Kongresit kundër një marrëveshjeje bërthamore midis fuqive botërore dhe Iranit.
Nimrod Goren, bashkëpunëtor i lartë në Institutin e Lindjes së Mesme, vuri në dukje se marrëdhënia SHBA-Izrael ka pasur pika të mëparshme krize -- mbi, për shembull, marrëveshjen tashmë të zhdukur për të kufizuar aftësitë bërthamore të Iranit. Në të kundërt, ka theksuar ai, tani Shtëpia e Bardhë duket se po “vë në dyshim kompetencën e Netanyahut si kryeministër dhe nëse ai është i besueshëm apo përgjegjës”.
Netanyahu dhe aleatët e tij fetarë dhe ultranacionalistë njoftuan rishikimin gjyqësor në janar, vetëm disa ditë pasi formuan qeverinë e tyre, më e djathta në historinë e Izraelit.
Propozimi e ka zhytur Izraelin në krizën e tij më të keqe të brendshme në dekada. Drejtuesit e biznesit, ekonomistët e lartë dhe ish-shefat e sigurimit kanë dalë të gjithë kundër planit, duke thënë se ai po e shtyn vendin drejt diktaturës.
Ai gjithashtu ka tërhequr kritika nga mbështetësit e Izraelit në SHBA, përfshirë organizatat hebraike amerikane, si dhe anëtarët demokratë të Kongresit. Një sondazh i Pew-it i publikuar majin e kaluar zbuloi një ndarje partiake në rritje mbi Izraelin dhe palestinezët, me demokratët – veçanërisht votuesit e rinj – që shprehnin gjithnjë e më shumë pikëpamje të favorshme për palestinezët.
Përktheu: Blerta Haxhiu
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.