Koreja e Veriut ekzekuton njerëz për drogë, shpërndarje të videove nga Koreja e Jugut dhe aktivitete fetare, thuhet në një raport të bërë publik nga Koreja e Jugut të enjten, raportoi Reuters.
Ministria e Unifikimit e Koresë së Jugut, e cila merret me çështjet ndërkoreane ka bazuar raportin prej 450 faqesh në dëshmitë e mbledhura nga viti 2017 deri në vitin 2022 nga më shumë se 500 koreano-veriorë që janë larguar nga atdheu i tyre.
“E drejta e qytetarëve të Koresë së Veriut për jetën duket se kërcënohet shumë. Ekzekutimet kryhen gjerësisht për akte që nuk justifikojnë dënimin me vdekje, duke përfshirë krimet e drogës, shpërndarjen e videove të Koresë së Jugut dhe aktivitetet fetare”, thuhet në raportin e ministrisë.
Këto gjetje të qeverisë së Koresë së Jugut janë në përputhje me hetimet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe raportet nga organizatat joqeveritare.
Raporti dha detaje të abuzimeve të të drejtave në kampe burgu dhe gjetkë, duke përfshirë ekzekutimet publike, torturat dhe arrestimet arbitrare.
Vdekjet dhe torturat ndodhin rregullisht në ambientet e paraburgimit dhe disa njerëz u ekzekutuan menjëherë pasi u kapën duke u përpjekur të kalonin kufirin, tha ministria.
Raporti erdhi ndërsa Koreja e Jugut kërkon të nxjerrë në pah dështimin e fqinjit të saj të izoluar për të përmirësuar kushtet e jetesës, ndërkohë që garon për të rritur arsenalin e saj bërthamor dhe raketor.
Gati 34,000 koreano-veriorë janë vendosur në Korenë e Jugut, por numri i të larguarve ka rënë ndjeshëm për shkak të sigurisë më të rreptë kufitare.
© KOHA.