Dy fëmijë dhe një i rritur u vranë dhe më shumë se një 10 njerëz u plagosën në një sulm të ri me raketa gjatë natës në Kiev, një nga më të rëndat që nga fillimi i luftës, thanë zyrtarët ukrainas, shkruan BBC.
Sulmet e fundit ndodhën në rrethet lindore të Desnyanskyi dhe Dniprovskyi.
Zyrtarët ukrainas thanë se detajet e të vdekurve dhe të plagosurve bazoheshin në informacionin paraprak.
Sulmi ishte i katërti këtë javë dhe vjen pas 17 sulmeve në kryeqytetin ukrainas gjatë majit - shumica e tyre gjatë natës, megjithëse të paktën një ndodhi gjatë ditës.
Imazhet e shpërndara nga autoritetet ushtarake tregojnë ekipet duke shpëtuar njerëz si dhe ndërtesa të dëmtuara.
Në një seri postimesh në Telegram herët në mëngjes, kryebashkiaku i Kievit, Vitaly Klitschko ka thënë se kishte pasur një seri shpërthimesh në qytet dhe se punonjësit e shpëtimit po merren me rrënojat dhe zjarret.
Ai ka thënë se 14 persona u plagosën - nëntë prej të cilëve u dërguan në spital.
Ndërkohë, zyrtarët e mbështetur nga Rusia në pjesën e pushtuar të rajonit lindor të Ukrainës, Luhansk, thanë se pesë persona u vranë dhe 19 u plagosën nga bombardimet ukrainase në një fermë të mërkurën.
Në javët e fundit, Rusia – e cila nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022 – ka përdorur drone kamikaze, si dhe një sërë raketash lundrimi dhe balistike, për të sulmuar objektivat në Ukrainë.
Kievi është shënjestruar shumë dhe analistët besojnë se Moska po përpiqet të dëmtojë mbrojtjen ajrore të Ukrainës përpara një kundërofensivë të shumëpritur, të cilën qeveria ukrainase e ka planifikuar prej muajsh.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.