Elon Musk, pronari i Teslas dhe SpaceX, u rikthye në pozitën e njeriut më të pasur në botë, pasi në fund të vitit 2022 e humbi këtë pozitë nga francezi Bernard Arnault, pronar i markave të modës LVMH.
Sipas Bloomberg Billionaires, vlera neto e shefit të Teslas tani është rreth 192 miliardë dollarë, krahasuar me 187 miliardë dollarë të shefit të LVMH-së, Bernard Arnault.
Dy centi-miliarderët, një term i përdorur për njerëzit me një pasuri prej më shumë se 100 miliardë dollarësh, kanë luftuar për vendin e parë për muaj të tërë.
Këtë javë, pasuria e Arnaultit u ul pasi aksionet e LVMH ranë të mërkurën, sipas llogaritjeve të Bloomberg.
Arnault kaloi Muskun në dhjetor, pasi pasuria e tij u rrit pas një bumi të mallrave luksoze që ndihmoi në rritjen e çmimit të aksioneve të LVMH. LVMH, një nga konglomeratet më të mëdha në botë, është shtëpia e markave duke përfshirë Louis Vuitton, Dior dhe Celine.
Ndërkohë, Musku ka shijuar rritje meteorike në listën e të pasurve në botë vitet e fundit, pasi pasuria e tij është e lidhur drejtpërdrejt me atë të Teslas, prodhuesit të veturave elektrike. Pasuria e tij më e madhe janë aksionet e kompanisë, prej të cilave ai zotëron rreth 13 për qind.
Përveç Teslas, Musk është gjithashtu shef i SpaceX, një kompani e eksplorimit të hapësirës dhe pronar i rrjetit social Twitter.
Aksionet e LVMH janë rritur me 19.7 për qind këtë vit, ndërsa ato të Teslas janë rritur me 65.6 për qind nga viti në vit.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.